Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli kritikon ashpër abuzimin e njerëzve të pushtetshëm për emërimet politike në pozita të institucioneve të pavarura
E Hënë, 18.03.2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në konferencën e projektit të Ambasadës Britanike për Rekrutimin e Pozitave të Larta Drejtuese, ka thënë se institucionet e shtetit janë servis i qytetarëve dhe që shërbimet të jenë efikase dhe të drejta, është e domosdoshme që të jenë profesionale.
Ai ka qenë i ashpër me abuzimet që kanë bërë njerëzit e pushtetshëm të cilët kanë emëruar pa merita njerëz politik në pozita të institucioneve të pavarura. Ai tha se duke e parë këtë abuzim, para katër vitesh kishe inicuar bashkë me ambasadorin britanik angazhimin e tyre në procesin e rekrutimit të pozitave të larta.
"Ky projekt ka ecur tre vite dhe ka pasur rezultate, të cilat janë për t'u evidentuar. Falënderoj edhe kompaninë angleze. Por, në çdo matje të besimit qytetar, ne shohim që ka ulje të tij, edhe në agjencionet e pavarura, edhe në ndërmarrjet publike, por për fat të keq edhe brenda vet institucioneve tona. Pra, duhet bërë më shumë, dhe këtë duhet ta bëjmë ne vet, duke qenë më përgjegjës para ligjit, para etikës dhe para qytetarëve, duke dëshmuar se mund ta ndërtojmë shtetin dhe të krijojmë besim më të madh te qytetarët tanë", tha Kryeprlamentri Veseli.
Ai ftoi të gjithë përfaqësuesit e pushtetit që të ndalin abuzimet dhe përdorimin e pushtetit për punësime politike pa meritë.
"Duhet ndalur praktika që kush ka pushtetin më afër t'i punësojë njerëzit e vet. Disa po i punësojnë nga tre-katër veta dhe nuk po mërziten fare. Këta njerëz duhet të ndalen dhe do t'i ndalim. Inkurajoj shoqërinë civile dhe mediat, por edhe bartësit e institucioneve, që të tregohen më të guximshëm dhe më të zëshëm për të ndalur njerëzit e tillë, ngase do të na e shkatërrojnë perspektivën dhe do të na ikin shumë të rinj e të reja", tha Kryeparlamentari Veseli.