Lajmet e fundit

Dëgjim publik për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për barazi gjinore

E Mërkure, 13.03.2019




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Zhdukur dhe Peticione, të cilin e kryesoi znj. Duda Balje, kryetare e Komisionit, sot mbajti Dëgjim publik për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-20 për Barazi Gjinore.

Me këtë rast, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Agjencisë për Barazi Gjinore, Ministrisë për Administratë të Pushtetit Lokal dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Kulturës, Sportit dhe Teknologjisë si dhe përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Zyrës për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore dhe mbrojtje nga diskriminimi, nga Komuna e Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës, si dhe përfaqësuesit e KDI-së dhe UNWOMEN-it.

Duke biseduar për mbikëqyrjen e këtij Ligji, kryetarja e Grupit punues, e cila e kishte monitoruar këtë Ligj, znj. Lirije Kajtazi, theksoi se anëtarët e këtij Grupi punues të këtij Komisioni, në kuadër të mandatit që kanë, por edhe në kuadër të mbikëqyrjes së këtij Ligji, vizituan shumë institucione, si qendrore ashtu edhe lokale dhe se në terren hasën vështirësi të shumta rreth implementimit të këtij Ligji. Përndryshe, në të ardhmen do të duhet angazhim më i madh në terren, në mënyrë që kjo gjendje të përmirësohet dhe në praktikë të arrihen rezultate sa më të mëdha dhe më frytdhënëse.
Në vazhdim pjesëmarrësit numëruan vështirësitë e shumta, me të cilat ata po përballen në terren, sa i përket zbatimit të Ligjit, duke thënë se do të duhet të rritet numri i zyrtarëve, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij Ligji. Njëkohësisht, gjatë diskutimeve u theksua punësimi i femrave duhet të jetë më i madh, të jenë në pozita udhëheqëse, kurse në zgjedhje, femrat të jenë numerikisht më të përfaqësuara në listat zgjedhore, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Në fund të këtij dëgjimi publik, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, u pajtuan se do t'i marrin parasysh të gjitha mendimet dhe sugjerimet e dala nga ky debat, në mënyrë që zbatimi i këtij Ligji në praktikë, të japë rezultate më të mëdha dhe më frytdhënëse.

 

Dëgjim publik për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për barazi gjinore Dëgjim publik për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për barazi gjinore