Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Mërkure, 13.03.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur sot (e mërkurë), seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të 44 deputetëve, me të vetmen pikë të rendit të ditës: "Debat parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti", të cilën e ka drejtuar nënkryetari Xhavit Haliti.
Në emër të inicuesve të këtij debati, ka folur deputeti i VV-së, Sami Kurteshi. Ai ka thënë se presidenti Thaçi ka pasur afat deri më 28 mars 2018 ta përmbyll këtë çështje. Megjithatë, Kurteshi ka thënë se KQZ-ja mbetet e bllokuar dhe jofunksionale. Ai ka treguar se VV dhe LDK më 17 prill 2018, i kanë dërguar nominimet për anëtarë të KQZ-së, të cilët nuk janë marrë parasysh nga Thaçi. "Presidenti kishte kërkuar material shtesë nga ne. Por, në heshtje e kishte pezulluar procedurën, duke e dërguar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, e cila e kishte shpallë të papranueshme kërkesën e presidentit", ka thënë Kurteshi. Ai e ka akuzuar presidentin Thaçi se po bënë përpjekje për t'i kontrabanduar anëtarët e KQZ-së në mënyrë antikushtetuese. Kurteshi ka përmendur se si pasojë e bllokimit të punës së KQZ-së, 37 asambleistë dhe një deputet janë ende në pritje të certifikimit. Me këtë veprim, sipas tij, përveç shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit nga ana e presidentit Thaçi, është dëmtuar edhe vullneti qytetar, si dhe kanë dështuar shumë procese në KQZ. Në fund të fjalimit të tij, Kurteshi ka bërë thirrje që të votohet projektrezoluta, në të cilën ndër të tjera kërkohet që të funksionalizohet KQZ-ja.
Po ashtu edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, me mosveprimin e tij, po e bllokon funksionimin e KQZ-së. Ai ka thënë se procedura që duhet të ndiqet për emërimin e anëtarëve të KQZ-së është e qartë. "Gjashtë anëtarë emërohen nga grupet parlamentare që përfaqësojnë shumicën. Bazuar në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, grupet parlamentare më të mëdha janë PAN, LDK dhe VV", ka thënë Hoti, duke shtuar se me vonesën e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së, Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese. Ai ka paralajmëruar se në rast të mosemërimit të kandidatëve nga ana e Thaçit, do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se ky debat është ndërhyrje direkte në përgjegjësitë e presidentit Thaçi, të përcaktuara me Kushtetutë. Ai ka thënë se nga mosfunksionimi i KQZ-së është dëmtuar GP i PDK-së, pasi Rafet Rama, është në pritje të certifikimit të mandatit të deputetit. Edhe Reçica ka kërkuar nga presidenti Thaçi që sa më shpejt t'i emërojë anëtarët e KQZ-së. Por, ai e ka bërë të qartë qëndrimin se deputetët e PDK-së nuk do ta votojnë projektrezolutën e propozuar nga inicuesit e kësaj seance.
Në vazhdim, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, ka folur Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se sipas Gjykatës Kushtetuese, grupeve parlamentare më të mëdha u takojnë nga dy anëtarë në KQZ. Ajo ka thënë se sipas Kushtetutës, nuk është kompentecë e presidentit të bëjë pazare me territor, por sipas saj, ai e ka keqkuptuar pozitën që e mbanë. Haxhiu ka kërkuar nga Thaçi që sa më parë t'i emërojë dy anëtarë nga VV-ja, dy nga LDK-ja dhe dy nga PAN-i. Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar se çdo vendim tjetër do të kundërshtohet fuqishëm, duke e dërguar presidentin në Gjykatën Kushtetuese.
Rreth kësaj çështja në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka folur edhe Ahmet Isufi, i cili njëjtë sikurse deputetët tjerë ka kërkuar që sa më shpejt të funksionalizohet KQZ-ja.
Në seancën e jashtëzakonshme për bllokimin e KQZ-së, deputetja Shqipe Pantina, ka thënë se Grupi Parlamentar i PSD-së, i mbështet kërkesat për funksionalizimin e KQZ-së. Ajo ka thënë se PSD -ja i bënë thirrje presidentit që sa më shpejt t'i emërojë anëtarët e KQZ-së. Pantina ka paralajmëruar se edhe disa institucione të tjera së shpejti do të mbesin jofunksionale, pasi u ka kaluar mandati anëtarëve të bordeve, për të cilat përgjegjësinë e ka Kuvendi. Edhe deputetët, ka thënë ajo janë përgjegjës për këtë gjendje.
Në emër të Grupit Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, nuk është pajtuar që VV-së dhe LDK-së t'i takojnë nga dy anëtarë në KQZ-së. Ai ka thënë se gjashtë grupet parlamentare ta kenë nga një anëtar në KQZ-së. Kurse, është pajtuar me opozitën që sa më shpejt të funksionalizohet KQZ-ja nga presidenti Thaçi.
Edhe Albert Kinolli në emër të Grupit Parlamentar 6+ ka kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ta përmbush obligimin e tij kushtetues dhe ligjor, që KQZ-ja si një nga institucionet më të rëndësihme në vend të jetë funksionale.
Gjatë diskutimeve, deputetët i kanë bërë thirrje presidentit Thaçi që ta funksionalizojë KQZ-në.
Në mungesë të kourumit, votimi i kësaj projektrezolute është shtyrë për një nga seancat e radhës.

Nga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e KuvenditNga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit