Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Premte, 08.03.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, raportoi Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, lidhur me raportin vjetor të punës, për vitin 2018.
Me këtë rast, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka shpalosur në detaje punën dhe aktivitetet e FSK-së përgjatë vitit të kaluar, ndërkaq ka folur edhe për objektivat që kanë paraparë gjatë vitit 2019.
Ai përmendi faktin se edhe gjatë vitit 2018 FSK-ja ka dalë institucioni më i besueshëm dhe se kjo ka ndodhur për shtatë vjet radhazi. Sipas tij, prioriteti kryesor për FSK-në gjatë vitit që lamë pas, ka qenë faza e tranzicionit dhe se lidhur me këtë kanë bërë edhe një kampanjë informuese në Evropë, duke folur në vijim edhe për bashkëpunimin që ata kanë pasur me partnerët ndërkombëtarë dhe për sfidat gjatë këtij rrugëtimi. Me theks të veçantë ai përmendi bashkëpunimin e FSK-së me SHBA-të.
Rama sqaroi se me SHBA-të kanë arritur bashkëpunimin në zhvillimin profesional dhe paisje dhe se tani kanë ndërtuar plan bilateral edhe me të gjitha shtetet. Ai vlerësoi po ashtu se gjithçka që është ndërtuar është bazuar në standarde të NATO-s. Ndërkaq, dha sqarime edhe lidhur me ndryshimin e rregulloreve të cilat po adaptohen në ligj, si dhe foli për fazën e rekrutimit të ushtarëve të rinj.
Krejtësisht në fund, pasi dha përgjigjje për anëtarë të Komisionit në një sërë çështjesh që ngritën ata, gjenerallejtënant Rama tha se janë të gatshëm që të kryejnë misione paqëruajtëse kudo në botë.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së