Lajmet e fundit
Nga punimet e mbledhjeve të sotme të Kuvendit
E Enjte, 07.03.2019
Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit, është mbledhur sot në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me platformën për dialogun me Serbinë dhe Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në këtë dialog.
Fillimisht, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër, për shkak të manifestimit të "Epopesë së UÇK-së". Mirëpo kërkesa e kryetarit të GP të LDK-së nuk mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve.
Po ashtu, Kuvendi nuk miratoi mocionin për shmangie nga rregullorja për shqyrtimin e Projektligjit nr. 06/L-145 për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Seanca vazhdoi me diskutime midis deputetëve të pozitës dhe opozitës, rreth Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Deputetë të partive opozitare, LDK e VV, kërkuan që kjo pikë të mos shqyrtohet sot, ndërsa ligjvënës nga pozita theksuan nevojën për shqyrtim të saj nga Kuvendi.
Në diskutim u përfshi kryeministri Ramush Haradinaj, i cili deklaroi se projektligji për delegacionin shtetëror dhe platforma për dialogun e kanë vendin në këtë Kuvend, pasi që, këtij institucioni, sipas tij, i është dhënë mundësia jo vetëm ta ruajë pronësinë mbi procesin e dialogut, por edhe për ta ruajtur Kosovën e 17 shkurtit.
Ai kërkoi që të shqyrtohet platforma por edhe të arrihet një konsensus për të.
Bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror për Dialog me Serbinë, Fatmir Limaj, tha se Platforma është dokument i përgatitur nga Delegacioni Shtetëror dhe se tema për të është shumë më rëndësi për vendin. Ai tha se procedurat parlamentare janë respektuar dhe se zvarritjet nuk janë në interes të vendit.
Deputetja Time Kadriaj, paraqiti rekomandimin e Komisionit për Punë të Jashtme, për miratimin e platformës. Qëndrimin pro saj e paraqitën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare: Elmi Reçica (PDK), Dukagjin Gorani (PSD), Time Kadriaj (AAK), Bilall Sherifi (Nisma) dhe Albert Kinolli (6+).
Pas shterjes së diskutimeve, Kuvendi shkoi në pauzë, ndërsa pas saj, hyri në seancën e rregullt.
Me kërkesë të kryetarit të GP të PDK-së, Memli Krasniqi, rendi i ditës u plotësua me disa pika shtesë. Kështu, pasi votoi shmangien nga rregullorja, Kuvendi miratoi Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.
Po ashtu, mbështetjen e Kuvendit me votë e mori edhe Platforma për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në vazhdim, Kuvendi miratoi në shqyrtim të dytë pesë projektligje: Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/24 Ligji i Sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, si dhe
Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Tutje, Kuvendi emëroi Fortuna Shaqiri-Haxhikadrijan, Alban Elshanin, Mehmet Krasniqin, Bashkim Mustafën dhe Asdren Osajn, anëtarë të Komisionit për Ndihmë Shtetërore, me mandat trevjeçar.
Ndërkaq, Bajram Zejnullahu mori votat nevojshme për kryesues të Bordit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ndërsa Hajzer Salihu, për anëtar të këtij Bordi.
U formua gjithashtu, Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ndërsa, sipas kërkesës së GP të PSD-së, kryesues i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, u emërua deputeti Faton Topalli.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërpreu seancës, për nder të Natës e Zjarreve dhe pjesëmarrjes së deputetëve në këtë ngjarje, e cila organizohet në kuadër të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.