Lajmet e fundit

Veseli: Miqësia me SHBA-të është si vetë liria jonë për të cilën ra Adem Jashari

E Mërkure, 06.03.2019




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën solemne për nder të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se Kosova nuk do të harroj kurrë sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, si dhe kontributin e gjithë dëshmorëve për liri.
Kryeparlamentari Veseli tha se në këtë ditë të madhe, në ditën e Adem Jasharit, duhet dy gjëra t'ua bëjmë të qartë qytetarëve dhe vetes, sidomos vetes tonë si politikanë, si përfaqësues të zgjedhur të popullit. "INTERESI I SHTETIT ËSHTË MBI ÇDO INTERES TJETËR. KOSOVA NUK DO TË KTHEHET PAS. KOSOVA VEÇ DO TË FUQIZOHET. E kemi amanet nga dëshmorët dhe zotim për të ardhmen e fëmijëve të saj", tha Veseli.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e ruajtjes dhe fuqizimit të miqësisë së përhershme me SHBA-të.

"Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë se janë hapur dilema e janë shtruar pikëpyetje për të ardhmen e këtij partneriteti. Sot, është dita t'i heqim këto dilema dhe t'i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje. Miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleanca jonë me botën perëndimore, janë vlera të shenjta të kombit tonë. Prandaj, janë të paprekshme, të pacenueshme. Janë të përgjithmonshme. Si vetë liria jonë, për të cilën ranë Jasharët e Prekazit dhe mijëra dëshmorë të tjerë", tha mes tjerash Kryeparlamentari Veseli.

Fjalimi i plotë i Kryeparlamentarit Kadri Veseli:

E nderuara Familje Jashari,

Të nderuar të pranishëm,

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave.

Ato shënojnë ndarjen e së tashmes prej të së shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet.

Një peshë të tillë e ka 5 marsi i vitit 1998.

Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë.

Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe pa dyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire.

Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri.

Adem Jashari dhe familja e tij ranë - që kombi ynë të ngritej në këmbë.

Dhe ne u ngritëm!

I madh e i vogël, burra e gra, nga i gjithë kombi.

U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë.

Në fundin e Shekullit 20, Kosova hyri në hartën e vendeve të lira dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë.

Ky është zotimi ynë i madh për gjeneratat e reja që do ta trashëgojnë këtë vend të bekuar nga Zoti dhe njerëzit e mirë, Atdheu ynë, Republika e Kosovës.

Zonja dhe Zotërinj,

Sot, në këtë ditë të madhe, ne përkulemi me respekt para kujtimit të të gjithë brezave që sakrifikuan për Kosovën e lirë, shtet të pavarur e sovran.

Nderimi për ta jeton në mendjet dhe zemrat tona, sot dhe përgjithmonë.

Përmes emrave të tyre, sot ne e definojnë dashurinë për Atdheun tonë, Kosovën tonë të lirë e sovrane.

Por, ky nderim është vetëm njëri dimension i kësaj dite të madhe.

Dimensioni tjetër është zotimi ynë për të vazhduar misionin e gjeneratës sonë, misionin e fuqizimit të Kosovës në çdo fushë të ekzistencës së saj si shtet dhe shoqëri.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këtë vit, ne kremtojmë 20 vjetorin e çlirimit.

Si gjeneratë, jemi të veçantë që patëm fatin të bashkëjetojmë në kohën e kolosëve të kombit tonë, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan Haradinaj, Bekim Berisha, Xhevat Jusufi, Agim Ramadani, Avdullah Tahiri, Ahmet Kaçiku, Mujë Krasniqi, e shumë e shumë të tjerë.

Dhe, së bashku, si komb, arritëm lirinë.

Sa gjëra të mëdha kemi arritur në këto dy dekada!

Nga një vend krejtësisht i shkatërruar, me plagë të mëdha të luftës, në pak vite e rindërtuam jetën tonë si shoqëri, ndërtuam institucionet demokratike, shpallëm pavarësinë dhe formuam shtetin dhe vitin që shkoi edhe forcën tonë mbrojtëse - Ushtrinë e Kosovës.

Diçka që të tjerëve u janë dashur shumë dekada për t'i arritur, ne ia dolëm për vetëm dy dekada.

Disa gjëra kemi mundur t'i bëjmë ndryshe, kemi mundur t'i bëjmë më mirë. POR, jam i bindur se gjeneratat e së ardhmes kanë për t'u ndjerë krenare me punën tonë.

Po, ku qëndron çelësi i kësaj historie madhështore suksesi?

Janë njerëzit e këtij vendi, që në luftë dhe në paqe, nuk kursyen asgjë nga vetja për ta ngritur në këmbë Kosovën, për t'ia kthyer dinjitetin dhe për të bërë vend të shpresës për fëmijët dhe të rinjtë e saj.

Janë edhe miqtë tanë të mëdhenj, të cilët qëndruan pranë nesh në çdo sfidë gjatë këtyre viteve.

Janë shtetet demokratike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që udhëtuan bashkë me ne, në të gjitha proceset e mëdha të kombit tonë.

Lirinë e kemi arritur me vendosmëri dhe me mençuri. Ishim të patundur në luftë me armikun dhe partnerë me ata që na u ndodhën pranë - miqtë e lirisë sonë - NATO-n, ne krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë se janë hapur dilema e janë shtruar pikëpyetje për të ardhmen e këtij partneriteti.

Sot, është dita t'i heqim këto dilema dhe t'i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje.

Miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleanca jonë me botën perëndimore, janë vlera të shenjta të kombit tonë.

Prandaj, janë të paprekshme, të pacenueshme.

Janë të përgjithmonshme.

Si vetë liria jonë, për të cilën ranë Jasharët e Prekazit dhe mijëra dëshmorë të tjerë.

Ky është identiteti ynë civilizues, nga i cili nuk mund të heqim dorë, sepse kombet nuk mund të tjetërsohen.

Sot, në këtë ditë të madhe, në ditën e Adem Jasharit, duhet dy gjëra t'ua bëjmë të qartë qytetarëve dhe vetes, sidomos vetes tonë si politikanë, si përfaqësues të zgjedhur të popullit:

INTERESI I SHTETIT ËSHTË MBI ÇDO INTERES TJETËR.

KOSOVA NUK DO TË KTHEHET PAS.

KOSOVA VEÇ DO TË FUQIZOHET.

E kemi amanet nga dëshmorët dhe zotim për të ardhmen e fëmijëve të saj.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit.

Lavdi Familjes Jashari. Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit.

Ju faleminderit!​

 

Veseli: Miqësia me SHBA-të është si vetë liria jonë për të cilën ra Adem Jashari