Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës plenare

E Enjte, 28.02.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar filloi sot punimet me 32 pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme.

Nga 12 projektligje në lexim të dytë që kaluan në proces votimi, u miratua vetëm Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, kurse për 11 projektligjet e tjera nuk kishte kuorum për votim, duke kaluar në seancën e ardhshme.

Seanca plenare, e cila tashmë drejtohej nga nënkryetari i Kuvendit Haliti, formoi Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e cila ishte pika e 13-të, por nuk votoi shtatë pikat pasardhëse, nga 14 -20, për mungesë kuorumi.
Më pas, seanca plenare vijoi punimet me krijimin e një komisioni të përbashkët (me mirëkuptim të të gjitha grupeve parlamentare) për zgjedhjen me votim të fshehtë të disa anëtarëve të organeve drejtuese të disa institucioneve të pavarura.

Kështu, nga votimet rezultoi se: asnjë kandidat nuk ka fituar votat e nevojshme për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komunitetet pakicë, si dhe për një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media.

Konkurset për këto pika do të përsëriten.

Pas pushimit seanca vijoi punimet me procesin e votimit të fshehtë, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas. Vetëm Hidajete Vokshi mori votat e nevojshme për anëtar të Këshillit, ndërsa për gjashtë pozita të tjera do të përsëritet votimi.

Në vazhdim, Kuvendi emëroi Naser Shalën drejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndërsa për zëvendësdrejtor asnjëri kandidat nuk mori votat e mjaftueshme.

Pas kësaj, për mungese të kuorumit, kryetari i Kuvendit ndërpreu punimet e seancës për sot.

 

Vazhdimi i seancës plenareVazhdimi i seancës plenareVazhdimi i seancës plenare