Lajmet e fundit
Deputeti Kurteshi mori pjesë në punimet e Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkime dhe Shkencë të SEECP-së
E Diel, 24.02.2019
Në Podgoricë të Malit të Zi, janë zhvilluar punimet e Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkime dhe Shkencë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (PBEJL/SEECP), ku u diskutua mbi temen: "Shkenca dhe teknologjiet e reja në shërbim të arsimit modern".
Në këtë takim, Kuvendi i Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputeti Ismajl Kurteshi, anëtar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (AP PEJL- SEECP), Komisioni për Zhvillim Social, Arsim, Hulumtim dhe Shkencë.
Deputeti Kurteshi, në fjalën e tij prezentoi situatën aktuale në fushën e arsimit, teknologjisë dhe shkencës, me theks të veçantë hapat që ka bërë Kosova në ngritjen e kapaciteteve në përdorimin dhe avancimin e teknologjisë në shkolla nga nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe përparësitë që sjell përdorimi i teknologjive të reja dhe internetit në sistemin arsimor.
Qëllimi i këtij takimi ishte intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë midis vendeve pjesëmarrëse, në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë, me projekte konkrete.
Takimin e kryesoi Mali i Zi, i cili njëkohësisht ishte edhe nikoqir. Përveç Kosovës, në këtë takim të pranishem ishin edhe përfaqësuesit nga: Turqia, Serbia, Rumania, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore, Bullgaria dhe Kroacia.
Në fund të takimit u miratua draft raporti dhe rezoluta.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, kundërshtoi amendamentet me përmbajtje politike të propozuara nga Serbia. Gjithashtu, me kërkesë të veçantë kërkoi të terhiqen nga rendi i ditës edhe disa amandamente të propozuara nga Rumania që të futen në raport (me votim) pas afatit dhe të cilat poashtu kishin përmbajtje politike. Kjo kërkesë u hodh në votim dhe u miratua njëzeri.