Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Premte, 22.02.2019
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari Driton Selmanaj, u shqyrtua raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit, për vitin 2017.
Përkitazi me këtë, të gjeturat u arsyetuan nga sekretari i përgjithshëm i ZKM-së, Fitim Krasniqi, i cili sqaroi se ato tashmë janë adresuar dhe se po ashtu kanë realizuar edhe Planin e Veprimit.
Pas diskutimit për këtë çështje, lidhur me rekomandimet për ZKM-në , Komisioni do të vendosë në mbledhjen e radhës.
Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe diskutimi lidhur me ndarjen e mjeteve financiare nga programi (232) shpenzimet e paparashikuara.
Duke u shprehur shqetësim nga Komisioni lidhur me ndarjen e mjeteve nga ZKM-ja, me theks të veçantë, për shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Komisioni vendosi që për këtë të ftojë në raportim kryeministrin e vendit ose zëvendësit e tij. U kërkua po ashtu edhe një raport me shkrim lidhur me këto shpenzime.
Krejtësisht në fund, Komisioni bëri edhe tërheqjën e shortit për auditimin e raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike, për vitin 2017.