Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli pranon platformën për dialogun
E Premte, 15.02.2019
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pranuar sot platformën për dialogun me Serbinë, të dorëzuar nga bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.
Kreu i Kuvendit tha se platforma synon marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se kjo platformë nënkupton sovranitet dhe integritet të plotë, si dhe garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.
Veseli tha se Kuvendi do ta shqyrtojë në afat sa më të shpejtë, në mënyrë transparente.
Nëpërmjet kësaj platforme, tha në vazhdim Veseli, do të arrihet një marrëveshje përfundimtare që i hap perspektivë vendit tonë.
"Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti i rrugës së hapjes që Kosova pas Maqedonisë Veriore, të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Është viti i liberalizimit të vizave dhe rrugëtimit të Kosovës shtet i pavarur dhe sovran drejt BE-së dhe integrimit të plotë në familjen e madhe evropiane", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari Veseli shtoi se fjalën e fundit lidhur me marrëveshjen me Serbinë, do ta ketë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet referendumit.
Veseli i bëri thirrje edhe njëherë pjesës tjetër të opozitës që t'i bashkohet delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë, proces ky që sipas Veselit, e bënë Kosovën anëtare në OKB dhe e dëshmon pavarësinë e tij.
Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i delegacionit, tha se nëpërmjet 11 parimeve që janë vendosur në platformë, është bërë i qartë qëndrimi zyrtar i Kosovës karshi Serbisë.
"Platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës, sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial që janë të pacenueshme. Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal. Ky është dialog për njohje dhe se nëse nuk ka njohje nga Serbia në fund të procesit, atëherë asnjë pikë e marrëveshjes përfundimtare nuk do të jetë e vlefshme", theksoi Ahmeti.
Bashkëkryesuesi tjetër delegacionit, Fatmir Limaj, u bëri thirrje të deputetëve që ta trajtojnë seriozisht propozim- Platformën.
Ai tha se duhet të ndërtohet paqja midis dy vendeve dhe se Kosova është e gatshme të ndërtojë marrëdhënie fqinjësore.
"Është koha që edhe Serbia ta njohë realitetin siç e njeh edhe Kosova", theksoi Limaj.