Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Hënë, 11.02.2019




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, është mbledhur sot për të diskutuar lidhur me abuzimin seksual të të miturës nga Drenasi.

Për të marrë informacione shtesë, komisioni, i kryesuar nga Duda Balje, kryetare, kishte ftuar për raportim kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi dhe atë të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, tha se ky rast asnjëherë më parë nuk është trajtuar në institucionet gjyqësore, andaj nuk mund të komentohet rreth detajeve të rastit, pasi sipas tij, rasti është në procedurë dhe çdo koment mund të ndikojë në këtë proces.

"Sa i përket anës vendosjes meritore, gjyqtarët janë të pavarur dhe çdo ndërhyrje nga ana jonë cenon parimin e pavarësisë së punës së gjyqtarëve", tha ai.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, tha se rastet penale janë raste të cilat duhet të trajtohen në salla të gjykatave e me dyer të mbyllura. Ai tha se rasti i vajzës nga Drenasi nuk është i pari, por se ky rast është bërë medial.

"Meqë rasti është në procedurë penale, do të vazhdojmë me të gjitha procedurat, por pa dhënë në detaje, sepse çdo fjalë që do ta nxjerrim këtu do të ndikojë në procesin e hetimeve. Ne si Këshill Prokurorial si organ administrativ nuk kemi drejtpërdrejt qasje në lëndën e prokurorit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, por marrim informata vetëm në rastet kur ato bëhen subjekt i trajtimit qoftë nga ndonjë gjyqtar apo prokuror. Secili që ka rënë ndesh me ligjin, dispozitat ligjore, ka neglizhuar detyrën e vet pas rezultateve përfundimtare të hetimit, do të marrë dënim të merituar", tha ai.

Hyseni ka deklaruar se prokurori i shtetit është i pavarur në punën e tij dhe secili prokuror në lëndën që e ka para vetes ka pavarësi të plotë.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje, ngriti shqetësimin se pse lëndët nëpër gjykata po zvarriten me vite dhe kërkoi që të gjendet një zgjidhje që të trajtohen më me prioritet rastet e dhunës.

"Nuk jemi sot këtu për t'u përzier në punën e gjyqtarëve e as në punën tuaj, por ju kemi ftuar të shohim pse një rast duhet të kalojë 1, 2, 3 vjet për tu shqyrtuar dhe a mundemi më shpejt", tha ajo.

Mbledhja vijoi me diskutime të anëtarëve të tjerë të këtij komisioni: Lirije Kajtazi, Luljeta Vesaj-Gutaj, Teuta Haxhiu, Mirjeta Kalludra dhe Shemsi Syla, të cilët, ndër të tjera, shprehën interesimin e tyre lidhur me rastin, duke kërkuar nga drejtuesit e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, se a janë shuar hetimet kur e mitura ka bërë kallëzim, a ka pasur neglizhencë në trajtimin e këtij rasti dhe çka është duke ndodhur aktualisht me këtë rast.

Nehat Idrizi e Bahri Hyseni u përgjigjën në pyetjet e adresuara, duke dhënë sqarimet përkatëse lidhur me rastin.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...