Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...

E Hënë, 11.02.2019




Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, priti në takim Laborantët e Departamentit të Kimisë, në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.

Përfaqësuesit e FShMN-së, para anëtarëve të komisionit shprehën kërkesat e tyre lidhur me pozitën dhe statusin e tyre të punës. Gjatë diskutimit, ata deklaruan se kategoria e tyre është e ngarkuar me 40 orë mësim në laborator, e cila është e pamundur për tu rezistuar.

Arta Rudi, laborante e FShMN-së, tha se janë duke kërkuar vite me radhë që pozita dhe statusi i laborantëve të jetë më i qartë. Rudi shtoi se përgjegjësinë dhe performancën e laborantëve e bënë sekretari i universitetit, i cili nuk ka të bëj me punën që kryhet në laboratorë brenda ditës.

"Kemi bëre përpjekje të vërtetojmë që nuk jemi staf administrativ. Para luftës nuk kemi qenë. Laborantët kanë qenë staf mbështetës. Pavarësisht kërkesave dhe vendimet që u morën nga Inspektorati i Punës, nuk është arritur të specifikohet statusi si përkrahës të stafit mësimor, e jo staf administrativ", tha Rudi.

Fjalën e morën edhe laborantë të tjerë, të cilët kërkuan që statusi i tyre të rregullohet me Ligjin e arsimit të lartë, në mënyrë që të hiqet kategorizimi i laborantëve nga stafi administrativ, duke kaluar në staf mësimor.

Anëtarët e komisionit shprehen gatishmërinë dhe përkrahjen e tyre ndaj laborantëve, për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të mirë e cila do e rregullonte vendin dhe pozicionin e tyre të punës.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...