Lajmet e fundit

Nga punimet e seancës plenare të Kuvendit

E Diel, 03.02.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, është mbledhur sot në seancë plenare, për të shqyrtuar për herë të dytë projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin e ardhshëm dhe projektligje të tjera me rëndësi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, hapi seancën me votimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. Pas amendamenteve, Kuvendi miratoi projektligjin në tërësi.

Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe Projektligjit për zyrtarët publikë.

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik mori vëmendjen e deputetëve prezentë, shumë prej të cilëve diskutuan lidhur me amendamentet e propozuara.

Pas votimit të amendamenteve, Kuvendi, me 63 vota për dhe një abstenim, miratoi projektligjin në tërësi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, falenderoi të gjithë anëtarët e komisionit funksional dhe ministrat e linjave, të cilët kanë punuar në mënyrë intensive në këtë projektligj. Ai vlerësoi se tani, nëpërmjet këtij projektligji, pas njëzet vjetëve të arbitraritetit dhe anarkisë në sektorin e pagesave, po bëhet një hap historik, të cilin ai e konsideroi fitore të sundimit të ligjit.

Seanca vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, të cilin para deputetëve e prezantoi zv/kryeministri Enver Hoxhaj.

Në vazhdim, përfaqësues të grupeve parlamentare prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me projektligjin. Kështu, deputetë të partive në pushtet e vlerësuan atë të rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë, ndërsa ligjvënës opozitarë folën me tone kritike lidhur me përmbajtjen e projektligjit.

Pas një debati të gjerë midis deputetëve, Kuvendi miratoi projektligjin, duke ngarkuar komisionin përkatës të bëjë shqyrtimin dhe amendamentimin e tij.

Po në shqyrtim të parë Kuvendi miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256, të cilin para deputetëve e prezantoi kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu, Kuvendi formoi Komisionin Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social.

Kuvendi vazhdoi seancën me shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me këtë projektligj, e paraqiti zv/kryetarja e tij, Safete Hadërgjonaj, e cila gjithashtu bëri një rezyme të punës së komisionit gjatë shqyrtimit dhe amendamentimin e këtij projektligji.

Pasi miratoi amendamentet e propozuara, të përkrahura nga komisioni funksional, si dhe disa të tjera të propozuara në seancë, Kuvendi, me 65 vota për, miratoi projektligjin në tërësi.

Në këtë seancë, Kuvendi i dha dritën jeshile edhe propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

U miratua, gjithashtu, edhe Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare "Trepça" Sh. A.

 

Nga punimet e seancës plenare të KuvenditNga punimet e seancës plenare të Kuvendit