Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës
E Marte, 29.01.2019
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga Haxhi Shala, kryetar, u diskutua lidhur me Planin e Punës për vitin 2019-të.
Me këtë rast, anëtarët e këtij komisioni pasi plotësuan këtë dokument me propozime shtesë, mes tjerash, vendosën që të fillojnë me procedurat rreth Projektligjit për Komisionerin e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Lidhur me këtë projektligj, u sqarua se drafti është i gatshëm dhe se duhet të përfshihet në agjendën e komisionit për muajin shkurt.
Tutje, u sqarua se komisioni veç aktiviteteve të shumta të parapara përgjatë këtij viti, do të mbikëqyrë edhe zbatimin e Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës.
Pas shterimit të diskutimit, u miratua në parim Plani i Punës për vitin 2019-të.
Komisioni shqyrtoi në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftim. Komisioni, po ashtu e përkrahu atë në parim për shqyrtim në lexim të parë, ndërkaq formoi edhe grupin e punës.