Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Enjte, 24.01.2019
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi,kishte të ftuar rektorët e universiteteve publike të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim të pranishëm ishin rektorët: Marjan Dema nga Universiteti "Hasan Prishtina", Prishtinë, Bajram Kosumi, Universiteti "Kadri Zeka", Gjilan, Fadil Millaku, Universiteti "Haxhi Zeka", Pejë, Ismet Temaj, Universiteti "Ukshin Hoti", Prizren, Shaban Buza nga Universiteti "Fehmi Agani", Gjakovë, Alush Musaj nga Universiteti "Isa Boletini", Mitrovicë dhe Agron Bajraktari nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Rektorët e universiteteve publike, para Komisionit shprehen shqetësimin e tyre lidhur me njoftimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë rreth vendimit të mbledhjeve të mbajtura më datë 15 dhe 16 janar 2019, për tërheqjen e akreditimit dhe refuzimin për 42 programe studimore.
Rektorët e universiteteve publike e kanë quajtur arbitrar, të jashtëligjshëm dhe politik vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e 42 programeve.
Anëtarët e komisionit kërkuan nga rektorët të ndjekin rrugët ligjore për rikthimin e programeve që u është hequr akreditimi.
Komisioni në mbledhjen e radhës ka ftuar për të raportuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe për të sqaruar dhe arsyetuar vendimin e tyre.