Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Marte, 15.01.2019
Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, diskutoi lidhur me grevën e mësimdhënësve. Të ftuar në këtë takim ishin ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi dhe përfaqësuesit e SBASHKU-t.
Kryetari Kurteshi, në fillim të takimit tha se komisioni është mbledhur për të parë mundësitë nga të dyja palët, qeveria dhe SBASHK-u, për arritjen e një marrëveshjeje dhe mirëkuptimi për daljen e mësimdhënësve nga greva.
Ministri Bytyqi theksoi se MASHT-i e ka ngritur shqetësimin lidhur me çështjen e renditjes së koeficientit të mësimdhënësve. Ai tha se vazhdimisht kanë qenë në kontakt me SBASHK-un, duke diskutuar për mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje sa më të mirë për sistemin arsimor. Bytyqi po ashtu tha se nga SBASHK-u kanë kërkuar që të jenë në bashkërenditje të veprimeve me MASHT-in, në mënyrë që të mos dëmtohet sistemi arsimor. Ministri deklaroi se MASHT-i ka propozuar një ngritje të koeficientit, duke i rritur pagat për mësimdhënësit.
"Në koordinim mes Qeverisë së Kosovës dhe MASHT-it, presim nga SBASHK-u që të reflektojë duke e ndërprerë grevën. Sot ka qenë ky propozim i qeverisë dhe presim reflektimin nga ana e SBASHK-ut. Mendoj që tashmë Qeveria e ka këtë ofertë dhe SBASHK-u duhet ta shqyrtojë atë", tha Bytyqi
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se pas shumë kërkesave të tyre për ngritje të koeficientit për mësimdhënësit, nuk kanë gjetur zgjidhje tjetër përveçse përmes grevës.
"Nuk kemi lënë derë pa trokitur, duke alarmuar se vërtet versioni aktual është diskriminues. Qeveria e Kosovës më 3 shtator solli një sihariq të keq për punëtorët e arsimit. Qeveria votojë një ligj diskriminues. Vetë fakti se po pranohet se me versionin aktual po shkatërrohet sistemi arsimor, flet mjaft. Me 28 dhjetor e mbajtëm një grevë për ta dhënë alarmin e fundit dhe nuk ndodhi asgjë. Ne nuk kishim kah t'ia mbajmë më", tha Jasharaj.
Ai shtoi se në sektorët tjerë koeficienti ngritet deri në 100 %, ndërkaq kërkesa e mësimdhënësve prëj ngritje prej 30% nuk realizohet. Sipas Jasharit, mësimdhënësit e Kosovës nuk janë duke kërkuar lëmoshë as në Qeveri as në MASHT por, sipas tij, po kërkojnë ngritjen e koeficientit.
Anëtarët e komisionit shtruan një varg çështjesh dhe problematikash lidhur me grevën e punonjësve të arsimit, duke kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë për daljen nga kjo situatë dhe fillimin e menjëhershëm të mësimit në shkolla.