Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli bëri nderime te obelisku i të pagjeturve
E Hënë, 31.12.2018
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në prag të Festës së Vitit të Ri, i shoqëruar nga familjarë të të pagjeturve, bëri nderime dhe vendosi lule pranë obeliskut të të pagjeturve, në oborrin e Kuvendit.
Kryeparlamentari Veseli tha se fati i kombit tonë ka qenë i tillë që edhe tani pas 19 vjetëve, për shumë nga familjarët tanë të mos dimë asgjë.
Veseli tha se mallkimi mbi Serbinë do të vijë pikërisht nga fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nënat e baballarët, të cilët ende nuk janë gjetur.
Kreu i Kuvendit shtoi se tashmë është e qartë se Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, shkon në dialog për ta njohur Serbia dhe se alternativë tjetër nuk do të ketë.
"Ne jemi krenarë për të kaluarën tonë dhe nuk do të ndalemi në rrugën tonë të zhvillimit. Kemi partnerë të fuqishëm, SHBA-të dhe vendet perëndimore. Si shtet dhe si institucione, nuk do të ndalemi. Familjet duhet të jenë të forta dhe krenare. E di që kanë të drejtë të jenë të pakënaqur edhe me ne, por të gjithë duhet ta dimë se Serbia është ajo e cila ia ka shkaktuar këto dëme Kosovës dhe për këtë ajo duhet të paguaj", tha kryeparlamentari Veseli.
Më pas kryeparlamentari Veseli priti në hollin e Kuvendit familjarët e të pagjeturve me të cilët ka bashkbiseduar dhe i ka siguruar se në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, delegacioni kosovar do ta ketë në prioritet diskutimin për të pagjeturit, pasi sipas Veselit, Serbia e din për fatim e tyre dhe ka obligim të tregojë dhe të përgjigjet për këtë plagë të madhe që kanë familjarët e të pagjeturve tash e dy dekada.