Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Premte, 28.12.2018
Përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dhe ata të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), ishin të pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, e mbajtur sot, nën kryesimin e kryetares së Komisionit Sala Berisha-Shala.
Me këtë rast, përfaqësuesit e këtyre institucioneve raportuan lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike, si dhe çmimin e naftës, çështje këto për të cilat anëtarët e komisionit ngritën shqetësimin e tyre, ndërkaq, nga organet kompetente kërkuan marrjen e masave të menjëhershme lidhur me parregullsitë e shfaqura kohëve të fundit.
Për çështjen e energjisë foli Arsim Janova, kryesues i Bordit të ZRRE-së. Ai vuri në dukje se ndërprerjet e herëpashershme të energjisë gjatë këtyre muajve, janë si pasojë e investimeve të planifikuara nga KEDS-i. Por, shtoi ai, ZRRE, duke pasur parasysh sezonin dimërore dhe faktin se në mungesë të energjisë elektrike qytetarët nuk mund të furnizohen as me ujë të pijshëm, nga KEDS-i kanë kërkuar pezullimin e këtyre investimeve.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së Janova, më pas sqaroi se kjo kërkesë nga ana e tyre është bërë më 23 të muajit nëntor dhe pas kësaj gjendja me furnizim të energjisë është përmirësuar dukshëm. Për të qenë edhe më efikas në përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorit nga ana e KEDS-it, Janova nënvizoi se ZRRE duhet të kompletojë Bordin dhe shtimin e punëtorëve, për të realizuar një mbikëqyrje më efektive.
Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit kërkuan nga ZRRE, që të angazhohet edhe më tej, dhe në harmoni me ligjet në fuqi, të ndërmarrin të gjitha masat, në mënyrë që furnizimi me energji elektrike të jetë sipas nevojave të qytetarëve.
Për sa i përket çmimit të naftës, ndërkaq, ministri i MTI-së Endrit Shala, foli për masat që ata kanë marrë lidhur me këtë.
Ministri Shala, fillimisht tregoi për takimin që ka pasur me përfaqësuesit e naftëtarëve, përkatësisht, shoqatën e tyre. Më pas, ai nënvizoi se MTI-ja derisa nuk posedon ndonjë rekomandim nga njëri ndër institucionet relevante, ata nuk mund të marrin vendime që do të rrezikonin liberalizimin e tregut.
Megjithatë, tha ai, ne me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit kemi nxjerrë një urdhëresë, sipas së cilës obligohen të gjithë operatorët ekonomik që ofrojnë shërbime të shitjes së produkteve të naftës, që në çdo pikë shitëse të vendosin tabelat treguese të çmimeve të produkteve të naftës.
Lidhur me këtë, foli edhe përfaqësuesi i AKK-së, Valon Prestreshi. Me këtë rast, ai bëri të ditur se në bazë të informatave që ata kanë, nuk kanë mundur të sigurojnë fakte se lëvizja e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj, është dakorduar paraprakisht nga kompanitë distribuese të naftës.