Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Mërkure, 26.12.2018




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i drejtuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Gjatë kësaj mbledhjeje komisioni shqyrtoi raportet me amendamente për disa projektligje.

Fillimisht, komisioni i dha dritën e gjelbër Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve, duke i rekomanduar seancës miratimin e tij në parim.

Më pas, u përkrahën edhe katër raporte të komisioneve të tjera, për: Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Projektligjin nr. 06/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë dhe Projektligjin nr. 06/L-121 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-097 për Bibliotekat.

Në vazhdim, iu dha mbështetje edhe raportit vjetor të punës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2017.

Në mbledhjen e sotme, komisioni diskutoi edhe lidhur me Projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2019 dhe propozoi pesë amendamente, për të përkrahur institucionet që bien në fushëveprimin e komisionit.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...