Lajmet e fundit
Veseli: Kosova shkon në dialog për njohje nga Serbia dhe ulësen në OKB
E Mërkure, 26.12.2018
Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Kuvend është zhvilluar takimi i parë koordinues për dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeparlamentari Veseli tha me këtë rast se Kosova e ka zotimin e saj për dialog, para institucioneve, qytetarëve të saj dhe para partnerëve ndërkombëtarë.
"Kosova ka njerëzit e saj, të cilët do t'i dalin zot në proceset të cilat do të jenë sfiduese, në marrjen e vendimeve. Qëllimi pse shkojmë në dialog me Serbinë është i qartë: Njohja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia në kufijt e saj të shpallur më 17 shkurt 2008, ulësja në OKB dhe perspektiva shumë e qartë dhe shumë e drejtë euro-atlantike e Kosovës", tha Veseli.
Përveç anëtarëve të ekipit negociator, në takim ishin të pranishëm edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa munguan përfaqësuesit e LDK-së dhe VV-së.
Në takim u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit midis grupit negociator dhe drejtuesve instituconalë, lidhur me dialogun me Serbinë.
Kryeparlamentari Veseli, i cili drejtoi takimin, tha se në këtë fazë finale të përgatitjeve për dialogun me Serbinë, Kuvendi i Kosovës do të jetë vend i unitetit.
Kreu i Kuvendit tha se ky takim duhet të shërbejë për të gjetur format e bashkëpunimit dhe bashkërendimit, me qëllim të funksionimit sa më të mirë të ekipit negociator, për hir të interesave të vendit dhe një transparence sa më të plotë ndaj qytetarëve.
Veseli garantoi mbështetjen e plotë të Kuvendit në gjithë këtë proces, ndërsa theksoi nevojën e përcaktimit të një orari të takimeve në këtë format.
Presidenti Hashim Thaçi, nga ana e tij, konfirmoi edhe njëherë mbështetjen për ekipin negociator dhe shprehu gatishmërinë për të qenë në dispozicion të tij, kurdo që kjo i kërkohet.
Ai tha se procesi duhet të ketë përfaqësim gjithëpërfshirës dhe transparencë të plotë.
Edhe kryeministri Haradinaj theksoi përkushtimin për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për punën e ekipit, ndërsa shtoi se do të ishte mirë që prezentë në këtë takim të ishin edhe përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti, nga ana e tij, i njoftoi drejtuesit e institucioneve për takimet e brendshme që delegacioni ka zhvilluar deri tani si dhe për ato me përfaqësues të institucioneve.
Ai po ashtu i bëri të ditura përgatitjet që po bëhen për takimin në Bruksel, i paraparë të zhvillohet gjatë muajit janar.
Ishte dakordim i përbashkët që takimet e tilla të zhvillohen edhe në të ardhmen, në funksion të ecurisë sa më të mirë të procesit të dialogut dhe informimit të plotë përkitazi me të.
Kryetari i Kuvendit, Veseli i ftoi sërish krerët institucional dhe ekipin negociator në një takim tjetër që do të mbahet të enjten në ora 10:00, e ku do të ftohen të marrin pjesë edhe ambasadorët e vendeve në QUINT-it dhe përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian.