Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Hënë, 24.12.2018
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, të ftuar për raportim kishte ministrin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqeri Bytyqi.
Ministri Bytyqi, para komisionit bëri një prezantim të përgjithshëm të buxhetit për vitin 2018 dhe foli për objektivat e projektbuxhetit për vitin 2019.
Bytyqi tha se është bërë përpjekje e përbashkët me komisionin për rritjen e buxhetit në arsim. Krahas kësaj, ai tha se në projektbuxhetin e miratuar nga Qeveria është bërë një rritje prej 19 %, mirëpo, sipas tij, kjo shifër nuk është e mjaftueshme. Sipas Bytyit, me këtë rritje MAShT-i nuk mund t'i përmbush objektivat dhe aktivitet e reja të ministrisë.
"Këtë vit ka rritje prej mbi 11milionë eurosh, të cilat janë shtesë për vitin 2019. Këtu kemi edhe një lëvizje të kategorisë së librave. Investimet në këtë fushë kanë qenë në kuadër të investimeve kapitale e që këtë vit ka kaluar në linjën buxhetore për mallra dhe shërbime. Ndërkaq, një pjesë të buxhetit të arsimit edhe këtë vit shpresojmë që do ta realizojmë përmes bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë", theksoi Bytyqi.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe ngritën një varg çështjesh dhe pakënaqësish, siç ishte çështja e mësuesve pa pagesë në shkollën "Mihal Grameno" në Fushë Kosovë, trajnimet me kosto të lartë buxhetore në këtë shkollë, çështja e mos përfshirjes së fëmijëve në nivelin parashkollor, mos vijimi i shkollimit në nivelin e ulët dhe atë të lartë të arsimit të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali, egjiptian etj.
Ministri Bytyqi u përgjigj në pyetjet e deputetëve, duke sqaruar se sistemi arsimor ka problematika të mëdha të cilat sipas tij, nuk mund të zgjidhjen vetëm nga MAShT-i. Po ashtu ai shprehu gatishmëri për të hulumtuar dhe punuar në zgjidhjen e problemeve, duke u dhënë, siç tha ai, mundësi të gjithë akterëve që të ndihmojmë rreth procesit arsimor.