Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit

E Premte, 21.12.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka vazhduar punimet me pikat e papërfunduara nga disa seanca të kaluara.

Fillimisht, Kuvendi, përkundër prezencës së mjaftueshme të deputetëve në sallë, në mungesë të votave nuk arriti t'i japë një përfundim Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, sikurse as Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës.

Në këto rrethana kryesuesi Xhavit Haliti ndërpreu seancën për një pauzë.

Seanca rifilloi me kërkesën e kryetarit të GP të PDK-së, Memli Krasniqi, për mocion procedural, nëpërmjet të cilit kërkoi që votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 të radhitet si pikë e parë, ndërsa pas saj votimet e projektligjeve të tjera në shqyrtim të dytë dhe të parë.

Kërkesa u përkrah me votë nga deputetët e tjerë.

Me kërkesë të PSD-së, në cilësi të iniciuesit, u hoq nga rendi i ditës votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Votimit të Projektligjit mbi ndarjen buxhetore, ndërkaq, i parapriu diskutimi i kryetarit të GP të PSD-së, Dardan Sejdiu, i cili premtoi votën e grupit të tij për këtë projektligj, nëse qeveria zotohet se do të përmbush pesë kërkesa të tyre.

Kryeparlamentari Veseli tha se është me interes miratimi i buxhetit, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se koalicioni qeveritar merr obligime kundruall kërkesave të shtruara nga PSD-ja.

Kryeparlamentari Veseli procedoi me votimin e projektligjit, i cili u miratua me votat e 62 deputetëve të pranishëm në sallë.

Seanca vazhdoi me votimin e projektligjeve në shqyrtim të dytë dhe shqyrtim të parë.

Kështu, në shqyrtim të dytë, Kuvendi miratoi këto projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës, Projektligjin për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës, Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen i Kosovës.

Për herë të parë, ndërkaq, Kuvendi miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligjin për produktet biocide dhe Projektligjin për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

U miratuan po ashtu edhe: Raporti vjetor i Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë për vitin 2017, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2017 dhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2017.

Për pikat e tjera, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Në kushte të mungesës së numrit të mjaftueshëm të deputetëve në sallë, kryeparlamentari Veseli ndërpreu seancën dhe bëri më dije se për vazhdimin e saj deputetët do të njoftohen me kohë.

 

Vazhdimi i seancës plenare të KuvenditVazhdimi i seancës plenare të KuvenditVazhdimi i seancës plenare të KuvenditVazhdimi i seancës plenare të KuvenditVazhdimi i seancës plenare të KuvenditvVazhdimi i seancës plenare të Kuvendit