Lajmet e fundit
Komisioni për Punë të Jashtme mbajti takimin e katërt koordinues të komisioneve parlamentare
E Premte, 21.12.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), mbajti sot takimin e katërt koordinues të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, e cila edhe drejtoi takimin, tha se konform dakordimit nga mbledhja e kaluar për të intensifikuar punën e komisioneve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshje të arritura midis Kosovës dhe Serbisë, sot do të prezantohen të gjeturat nga monitorimi që komisionet i kanë bërë zbatimit të këtyre marrëveshjeve.
Ajo tha se Komisioni për Punë të Jashtme ka konkluduar se Serbia nuk i ka zbatuar rreth 2/3 e marrëveshjeve të arritura.
Osmani theksoi nevojën që gjatë hartimit të planit të punës për vitin e ardhshëm, komisionet t'i kushtojnë rëndësi më të madhe mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve, konform fushëveprimtarisë të cilën e mbulojnë.
Përfaqësuesja e KDI-së në këtë takim, Jeta Krasniqi, foli për angazhimet e organizatës në këtë proces dhe konfirmoi përkushtimin për të vazhduar mbështetjen për komisionet parlamentare edhe në dy vitet e ardhshme.
Në vazhdim, përfaqësues të komisioneve parlamentare prezantuan aktivitetet që kanë ndërmarrë në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve dhe paraqitën të dhëna lidhur me zbatimin e tyre.
Safete Hadërgjonaj në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Xhelal Sfeçla në emër të Komisionit për Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Albulena Haxhiu në emër të Komisionit për Legjislacion, Muharrem Nitaj në emër të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Sala Berisha-Shala në emër të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Besa Baftiu në emër të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Nait Hasani në emër të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Haxhi Shala në emër të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ganimete Musliu në emër të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, bënë të ditura aktivitetet që këto komisione kanë ndërmarrë që nga mbledhja e fundit për identifikimin e ngecjeve por edhe arritjeve në zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.
Ishte dakordim i përbashkët që komisionet të dërgojnë raportet e tyre me shkrim, për t'i hapur kështu rrugë hartimit të raportit përmbledhës nga ana e Komisionit për Punë të Jashtme.