Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Mërkure, 19.12.2018
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, i drejtuar nga Vjosa Osmani, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilin raportoi zv/kryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, lidhur me zhvillimet e fundit në fushën e diplomacisë.
Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, shprehu pakënaqësinë e saj për mos prezencën e ministrit Pacolli në komision në disa raste.
Osmani tha se angazhimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë qenë të rëndësishme për t'u raportuar, për tema si Interpoli, tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës etj.
Ajo tha se Komisioni për Punë të Jashtme është lënë anash vazhdimisht nga MPJ për të qenë i informuar lidhur me punën e politikës së jashtme.
Kryetarja Osmani shfaqi shpresën se kjo nuk do të ndodhë në vitin në vijim.
"Këtu nuk duhet të ketë parti e as politikë. Fusha e politikës së jashtme është temë përtej asaj partiake. Angazhimi i gjithë komisionit është fuqizim i politikës së jashtme. Askush për politikën e jashtme nuk mund të jetë i suksesshëm i vetëm", tha kryetarja Osmani.
Ministri Pacolli, nga ana e tij, mosparaqitjen e tij para komisionit në disa raste e arsyetoi më agjendën e tij të ngjeshur të vizitave jashtë vendit dhe angazhime të tjera.
Duke folur për zhvillimet që e kanë përcjellë Kosovën muajt e fundit në sferën e diplomacisë, Pacolli akuzoi Serbinë se po e përdorë çështjen e dialogut për t'i vënë në pikëpyetje marrëdhëniet e shtetësisë së Kosovës me shtetet që e kanë njohur Kosovën.
Duke folur për numrin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, shefi i diplomacisë së Kosovës tha se MPJ-ja posedon 116 letra kredenciale.
"Në MPJ janë 116 letra kredenciale të njohjes së shtetësisë së Kosovës. Nigeria dhe Uganda kanë dërguar letra të nënshkruara nga presidentët e këtyre shteteve që këto dokumente të jetësohen me Ministritë e Punëve të Jashtme. Por ende nuk janë jetësuar nga ato, pasi MPJ-të e këtyre shteteve janë të ndikuara nga ministrat që kanë qenë në shërbime diplomatike në Serbi", theksoi ministri Pacolli.
Ministri i Jashtëm, Pacolli, thotë se Kosova, prej shtatorit të vitit të kaluar ka harxhuar më pak se 3 milionë euro për lobim, në krahasim me 30 milionë euro që ka shpenzuar Serbia vetëm për këtë çështje. Sipas tij, asnjë notë verbale për tërheqje të njohjes së shtetësisë së Kosovës, pos Ishujve Solomon, nuk ka ardhur në mënyrë zyrtare.
Anëtarë të komisionit, nga ana e tyre, shtruan pyetje dhe ngritën çështje të ndryshme që lidheshin me aspekte të punës së MPJ-së.
Duke u përgjigjur në çështjet e ngritura, Pacolli tha se ministria që ai drejton është e përkushtuar në përmirësimin e raporteve me pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Pacolli tha se Serbia po zhvillon një fushatë gjithë parlamentare dhe sipas tij, në vitin e ardhshëm, deputetë të Kuvendit të Kosovës duhet të përgatiten dhe të vizitojnë shtetet e tjera.