Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në KEK
E Mërkure, 19.12.2018
Në kuadër të aktiviteteve të parapara me plan të punës për vitin 2018, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, i udhëhequr nga kryetarja Sala Berisha Shala, vizitoi sot ndërmarrjen publike "Korporata Energjetike e Kosovës" - KEK.
Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me punën e kësaj ndërmarrjeje publike dhe sfidat me të cilat përballet ajo, ndërkaq, delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, përkatësisht, komisioni, u prit nga Njazi Thaçi, drejtor menaxhues i KEK-ut me bashkëpunëtorë.
Me këtë rast, drejtori menaxhues i KEK-ut, Thaçi, e njoftoi komisionin me gjendjen në këtë korporatë, ku ndër të tjera theksoi se, KEK-u është duke punuar me kapacitete të plota të gjenerimit të energjisë elektrike.
Duke folur për sfidat kryesore në këtë ndërmarrje, Thaçi potencoi moshën e lartë të punëtorëve, çmimin e ultë të shitjes së energjisë elektrike, si dhe vlerën e lartë të rentës minerare.
Anëtarët e komisionit u interesuan për procesin e shpronësimit, për projektin e kogjenerimit, për rezervat e thëngjillit, për kapacitetet e gjenerimit dhe për punë të tjera të KEK-ut, për të cilat morën sqarime nga zyrtarët e KEK-ut.
Kryetarja e Komisionit Berisha - Shala, ndërkaq, theksoi se do të angazhohet në adresimin e sfidave të KEK-ut, që ndërlidhen me fushëveprimin e Komisionit.