Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 19.12.2018
Në mbledhjen e sotme, Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale zhvilloi një takim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës lidhur me situatën e rëndë që është krijuar për mos parashikimin nga buxheti i vitit 2019 për rritjen e pagave.
Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, pasi bëri një rezyme të shkurtër të situatës, u shpreh para deputetëve;- "se nuk kemi kërkesa politike, por kemi ardhur me ju lutë në emër të 14 mijë punonjësve shëndetësorë se tashmë i kemi konsumuar të gjitha mundësitë dialoguese dhe duhet shmangur eskalimi i situatave me pasoja të pakontrollueshme dhe të paimagjinueshme për gjendjen e shëndetësisë së Kosovës".
Të gjithë deputetët që morën fjalën theksuan se e njohin mirë situatën dhe ofrojnë mbështetjen totale për të punuar në çdo kohë, nëse gjendet mirëkuptimi me qeverinë për tu futur në lexim të dytë, ligji për pagat me parashikimin buxhetor, që gjithsesi ka një afat kohor afërsisht 6 mujor për të hyrë në fuqi.