Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Hënë, 17.12.2018




Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare e këtij Komisioni, ka shqyrtuar Strategjinë e Kuvendit për bashkëpunim ndër-institucional në fushën e politikës së jashtme, të përgatitur nga Projekti i Binjakëzimit.
Këtë dokument lidhur me Strategjinë e Kuvendit për bashkëpunim ndër-institucional, para komisionit e paraqiti kryetarja, Vjosa Osmani.
Me këtë rast, kryetarja Osmani, vlerësoi se dokumenti i hartuar në kuadër të Projektit të Binjakëzimit, është shumë i mangët. Ky dokument, shtoi ajo, duhet plotësuar në masë të madhe, në mënyrë që të arrihet gjer te hartimin i një strategjie gjithëpërfshirëse lidhur me bashkëpunimin ndër-institucional në fushën e politikës së jashtme. Në vijim, kryetarja Osmani, bëri të ditur se plotësim - ndryshimi i këtij dokumenti do të bëhet nga komisioni, dhe si i tillë do të procedohet në Kryesinë e Kuvendit.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, tumirën vlerësimin e kryetares Osmani, dhe u deklaruan në favor të këtij dokumenti, duke u zotuar se do të punojnë për plotësim- ndryshimin e tij.
Në vijim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu po ashtu edhe draft Raportin lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Diasporën dhe Mërgatën.
Këtë raport, para komisionit e paraqiti deputetja Evgjeni Thaçi -Dragusha, kryesuese e grupit punues.
Gjatë paraqitjes së këtij raporti, deputetja Thaçi -Dragusha, lexoi edhe rekomandimet (10 sosh) lidhur me zbatimin e Ligjit, të cilat u plotësuan, e më pas edhe u përkrahën nga komisioni.

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme