Lajmet e fundit

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

E Shtune, 15.12.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, të udhëhequr nga kryeparlamentari Kadri Veseli, e thirrur me kërkesën e 42 deputetëve, lidhur me miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Në fillim të seancës, kryetari Veseli para deputetëve e prezantoi deklaratën lidhur me ndalimin e jashtëligjshëm të disa ditëve më parë të deputetit Sllobodan Petroviq, nga ana e organeve serbe të sigurisë, në kufirin Kosovë-Serbi.

Për miratimin e saj nuk pati kuorum për vendimmarrje.

Në vijim, fjalën e mori Visar Ymeri, nga PSD-ja, i cili në emër të propozuesit i e prezantoi Projekt- rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

"Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO. Ky dokumentacion e përkufizon qartë se Kushtetuta, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar i Kosovës, janë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme", theksoi Ymeri.

Deputeti Ymeri, prezantoi emrat e anëtarëve që do të përbëjnë delegacionin.

Sipas tij, Shpend Ahmeti nga PSD dhe Fatmir Limaj nga NISMA-s do ta kryesojnë dialogun, ndërsa, anëtarë tjerë do të jenë: Enver Hoxhaj PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Ygcilar nga 6+, Dardan Gashi, zëvendëskryeministër, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vendet do të jenë të lira për LDK-në dhe Vetëvendosjen. Deri në plotësimin e tyre, pjesë e delegacionit do të jenë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, të dy nga PSD.

Seanca vijoi, me qëndrimet e grupeve parlamentare, të pranishëm në seancë. Memli Krasniqi në emër të PDK-së, Dukagjin Gorani në emër të PSD-së, Ahmet Isufi në emër të AAK-së, Bilall Sherifi në emër të Nismës dhe Albert Kinolli nga 6+, i dhanë mbështetje rezolutës së propozuar.

Rezoluta u përkrah edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit.

Pas shterjes së diskutimeve, me 59 vota për dhe dy abstenime, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar

 

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit