Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

E Enjte, 13.12.2018




Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, udhëhequr nga kryetarja Vjosa Osmani, në të cilën raportoi ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i alternativave për përmirësimin e Ligjit për diasporën.

Anëtarët e komisionit përmendën disa çështje thelbësore, si pjesëmarrja e diasporës në jetën politike të vendit tonë, si dhe përfaqësimi i diasporës në Kuvend.

Kërkesë kyçe e anëtarëve të komisionit për ministrin ishte ndërmarrja e hapave të nevojshëm dhe përmbushja e idesë rreth shkollimit të fëmijëve në diasporë në gjuhën shqipe dhe mbulimit të të gjitha kostove për këtë proces nga ana e shtetit të Kosovës. Kjo, sipas tyre, ndikon shumë në ruajtjen e identitetit dhe gjuhës shqipe nga ana e bashkatdhetarëve tanë në diasporë.

Ministri Gashi, nga ana e tij, tha se kjo ide duhet të shtrohet para Kuvendit të Kosovës. Sipas Bankës Botërore, shtoi ai, Kosova ka 700 milionë euro të hyra vjetore nga diaspora. Ajo çka nevojitet për realizimin e këtij plani, sipas tij, është që 1 për qind e këtyre të hyrave të dhurohet për aktivitete në diasporë.

Çështje tjera që u hapën gjatë mbledhjes nga ana e deputetëve ishte edhe identifikimi i problemeve gjatë diskutimeve publike në qendrat kryesore të diasporës në shtete të ndryshme.

Pas përfundimit të takimit më ministrin, komisioni vazhdoi punën me çështje të tjera, si ishte shqyrtimi i raportit për monitorimin e Ligjit për diasporën.

Po ashtu, u kërkua që gjatë dhjetorit ministri i Punëve të Jashtme të jetë në raportim në komision, në lidhje me tërheqjen e njohjeve nga shumë shtete.

 

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme