Lajmet e fundit
Nga mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Enjte, 13.12.2018
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Driton Selmanaj, kryetar, në të cilën raporti ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, lidhur me të gjeturat e raportit të Auditimit për Pasqyrat financiare vjetore të vitit 2017.
Anëtari i komisionit, njëherësh raportues për këtë çështje, Avdullah Hoti, prezantoi të gjeturat e Auditorit për pasqyrat financiare vjetore të MTI-së.
Hoti tha se sipas të gjeturave të auditorit, buxheti nuk është shpenzuar në nivelin e duhur. Ai pohoi se është e drejtë që shpenzimet kapitale të shpenzohen në fund të vitit, mirëpo, sipas tij, problemi qëndron tek planifikimi i shërbimeve dhe të hyrave në këtë ministri.
Ministri Shala, gjatë fjalës së tij, e arsyetoi opinionin e auditimit të të gjeturave, duke vlerësuar se MTI-ja është duke punuar në përmbushjen e rekomandimeve të auditorit, lidhur me pagesën e punëtorëve sipas përshkrimit të punës. Krahas kësaj, Shala theksoi se janë ndërmarrë hapa dhe është bërë kërkesë lidhur me koeficientin e punëtorëve, mirëpo në këtë çështje, ai tha se nuk ka gjetur përkrahje nga Ministria e Financave. Po ashtu, Shala deklaroi se MTI-ja do të punojë konform Ligjit, lidhur me pozitat e larta.
Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe ngritën shqetësime lidhur me punësimet dhe subvencionet nga minoritetet në këtë ministri, numrin e madh të pozitave me ushtrues detyre dhe kontrata mbi vepër.
Ministri Shala u përgjigj në pyetjet e deputetëve, duke dhënë sqarimet e nevojshme për çështjet e ngritura.
Po ashtu komisioni miratoi rekomandimet nga raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës Trainkos, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017.