Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Administratë Publike...
E Mërkure, 12.12.2018
Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, udhëhequr nga kryetari i këtij komisioni Nait Hasani.
Fillimisht, gjatë diskutimeve lidhur me rendin e ditës, anëtarët e komisionit u pajtuan që pikë e parë të jetë shqyrtimi i Ligjit për Lirinë e Asociimit në organizata joqeveritare, i cili është miratuar në seancën plenare të mbajtur me 7 nëntor 2018 dhe është kthyer nga Presidenti i Kosovës.
Gjatë diskutimit lidhur më rekomandimet e Zyrës së Presidentit përkitazi me këtë ligj, u shprehën qëndrime pro dhe kundër tyre. Pas hedhjes në votim, me pesë vota kundër, komisioni nuk përkrahu rekomandimet e Zyrës së Presidentit.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi propozimet për hartimin e draftligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Në funksion të shoshitjes së të gjitha propozimeve dhe draftimit të një projektligji sa më të zbatueshëm, në të ardhmen komisioni pritet të organizojë një dëgjim publik me përfaqësues të grupeve të interesit.