Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Marte, 11.12.2018
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, shqyrtoi disa projektligje, si dhe kërkesat buxhetore të institucioneve/agjencioneve që bien në fushëveprim të Komisionit për Legjislacion për vitin 2019.
Komisioni dëgjoi kërkesat e Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Ministrisë së Drejtësisë, KQZ-së dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit, përfaqësues të të cilëve potencuat nevojat financiare që këto institucione kanë për të kryesuar punën e tyre gjatë vitit 2019.
Komisioni formoi grupin punues i cili do të shqyrtojë kërkesat e paraqitura.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni shqyrtoi raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Projektligji u procedua për shqyrtim në seancë plenare.
U përkrah po ashtu edhe raporti me amendamente për Projektligjin nr. 06 L 086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe iu procedua komisioneve kryesore për shqyrtim.
Sa i përket kërkesës së NPN "HOXHA" lidhur me interpretimin e dispozitës ligjore të nenit 22 dhe 23 të Ligjit për Ndërtim, komisioni konstatoi se ajo nuk bie në fushën e përgjegjësive dhe kompetencën e tij.
Ndërkaq, lidhur me propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës me kandidatët për drejtor dhe zëvendësdrejtor të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, komisioni nuk pati kuorum për vendimmarrje dhe i njëjti pritet të shqyrtohet serish në mbledhjen e radhës.