Lajmet e fundit

Nga konferenca “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”

E Hënë, 10.12.2018




Sot në Prishtinë ka filluar punimet konferenca rajonale "Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore", në të cilën po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, qendore e lokale, përfaqësues të institucioneve e përfaqësive ndërkombëtare në Kosovë, si dhe organizave të shoqërisë civile.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Mexhide Mjaku-Topalli, mbajti një fjalë hyrëse.

Fjala e plotë e deputetes Mjaku-Topalli:

"Zonja dhe zotërinj,

Konferenca e sotme me temen "Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore", është një çështje aktuale dhe tejet delikate për shoqërinë, e po ashtu edhe për individin, e njohur për opinionin si një problem i përhapur global, që kapërcen kufijtë dhe ndodhë në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës. Pra të mos e konsiderojmë atë si një problem të veçuar.

Edhe pse shumë vende kanë mundur ta frenojnë deri diku këtë dukuri, në Kosovë në periudha të ndryshme, dhuna në familje përveç që po ndodh, ndonjëherë po rezulton edhe me vrasje dhe se në vitet e fundit ka shënuar rritje.

Prandaj, si metodë bazë, me të drejtë do të thosha se nga të gjitha temat e parapara në këtë konferencë dominon analiza krahasuese e periudhave të mëparshme, si dhe me patjetër kjo konferencë për synim ka të arrijë disa objektiva të paraqitura midis qëllimeve të kësaj konference, të evidentimit të problematikave, faktorëve nxites së rritjes së formave të dhunës, si dhe në fund të saj, dhënies së rekomandimeve për hartimin e politikave për parandalimin dhe reduktimin e dukurisë së dhunës, si dhe zero vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare e menaxhimit të konflikteve të ndryshme rreth saj.

Trajtimi i problemeve në këtë konferencë sigurisht se ka një shtrirje të gjerë, multidimensionale, që nga syri i sociologut, tek këndi i shikimit të juristit, nga vëzhgimi i psikologut tek kodet e penalistit, nga puna hetimore e parandaluese e punonjësit të sigurisë tek analiza e gjithsecilit sipas këndvështrimit të vet.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës për vitin 2017, janë shënuar mbi 900 raste të dhunës në familje, ndërsa kjo shifër për nëntë muajt e këtij viti ka arritur në mbi 1 mijë e 100 raste, ndërsa në vitet e fundit 34 gra jane vrarë në Kosovë nga dhuna.

Për të qenë institucionet sa me efikase në parandalimin, reduktimin dhe eliminimin e këtyre veprave kriminale, sigurisht se janë marrë një sërë masash ligjore për parandalimin e dhunës në familje, jane hartuar strategji, komentarë dhe programe te ndryshme.

Martesa dhe familja sot gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit, si një nga parimet më themelore të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndryshimi në Kodin Penal, i bërë tanimë në këtë vit, siguron dhe u rikthen mbrojtjen e posaçme pjesëtarëve të familjes nga dhuna, për shkak të marrëdhënieve familjare. Ligji për mbrojtjen nga dhuna ne familje, si rrjedhojë solli krijimin e mekanizmave mbrojtës, ngritjen e disa strukturave të posaçme pranë qeverisjes qendrore dhe lokale, siç është edhe koordinatori nacional, mekanizma të tjerë në nivel lokal, ndërsa tanimë na duhet edhe forcimi i bashkëpunimit institucional.
Duke parë efektin e ndryshimit në Kodin Penal, do të kemi mundësi të kemi si rezultat rënien e numrit të dhunës dhe vrasjeve.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Nga punimet e kësaj konferencë do të kemi përfundime dhe konkluzione praktike, që mund të shërbejnë e të japin ide orientuese në punën për të ardhmen, zhvillimin e reformave legjislative dhe hartimin e politikave, të nismave parandaluese dhe atyre të ndërhyrjes, si dhe të sistemeve të mbrojtjes dhe përkrahjes të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës në familje.

Si përfundim, me lejoni te them, se siguria e jetës vjen ose kërcënohet edhe nga vet pjesëtarët e familjes, prandaj rritja e sigurisë është një vlerë e fituar të cilën shoqëria kërkon jo vetëm ta mbrojë atë që ka arritur, por dhe ta përmirësojë atë në mënyrë progresive.

Duke parë se është e nevojshme informimi i komunitetit për punën që bëhet për parandalimin dhe reduktimin e krimit në përgjithësi dhe në këtë kuadër edhe të dhunës ekstreme e të vrasjeve në familje, ne praktikuam daljen në terren dhe realizuam vizita zyrtare në institucionet e vendit, si dhe po realizojme një konferencë si kjo e sotmja për herë të parë.

Mund të konkludoj se i tërë ky angazhim i yni i përbashkët do të ndikojë në rritjen e shkallës së objektivitetit në perceptimin e nivelit të sigurisë dhe të krimeve në familje, në rritjen e nivelit të kënaqësisë së publikut për punën e institucioneve të vendit.

Po e përmbyll fjalimin tim me nje thënie të Nënës Tereze:
"Nga ndonjëherë na duket se ajo që bëjmë i ngjan një pike uji në oqean, por vërtet oqeani është i mangët mu për atë pikë ujë".

 

Nga konferenca “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”Nga konferenca “Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”