Lajmet e fundit

Vazhdimi i seancës së Kuvendit

E Premte, 07.12.2018




Seanca e Kuvendit të Kosovës, e nisur dje, ka vazhduar edhe sot nën drejtimin e nënkryetarit Xhavit Haliti, (një pjesë e seancës është kryesuar nga nënkryetarët, Myfera Shinik dhe Kujtim Shala).

Në këtë seancë, deputetët vijuan diskutimet lidhur me Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Gjatë debatit, deputetët kryesisht opozitarë, paraqitën vërejtje të shumta për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Ata vunë në pah mangësitë, të cilat sipas tyre, bëjnë që buxheti i planifikuar të mos jetë buxhet zhvillimor, por, vetëm shpenzim i pa menduar mirë i parasë publike. Deputetët, po ashtu kritikuan edhe mungesën e shumë ministrave të kabinetit qeveritar në seancë, që sipas tyre, tregon qartazi papërgjegjshmërinë e qeverisë.

Diskutuesit e tjerë, që i përkisnin pozitës, ndërkaq, vlerësuan se shtimi i buxhetit për shëndetësinë, arsimin, e shumë sektor të tjerë, siguron zhvillim dhe stabilitet financiar të vendit.

Pas diskutimit të deputetëve, ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, u është përgjigjur interesimit të deputetëve, lidhur me çështjet që kishin të bënin me buxhetin. Ai hodhi poshtë, ndërkaq, pohimet e disa deputetëve se, rritja e Buxhetit për vitin 2019, nuk do të ndikojë në rritjen ekonomike.

Pas shterimit të debatit dy ditor lidhur me këtë projektligj, i cili në mungesë kuorumi nuk u hodh në votim, seanca vijoi punimet me shqyrtimin në parim edhe të këtyre projektligjeve: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligjin për produktet biocide dhe Projektligjin për Odën e Arkitekteve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Në lexim të dytë ndërkaq, është shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen i Kosovës.

Në mungesë kuorumi, asnjëra nga këto projektligje nuk i është nënshtruar procesit të votimit.

Në vijim, deputetët shqyrtuan edhe Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017, si dhe Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017.

Po ashtu, në mungesë kuorumi, as këto raporte nuk janë hedhur në votim.

Pas kësaj, kryesuesi e shpalli të mbyllur seancën, për vazhdimin e së cilës, ai tha se deputetët do të njoftohen me kohë.

 

Vazhdimi i seancës së KuvenditVazhdimi i seancës së KuvenditVazhdimi i seancës së Kuvendit