Lajmet e fundit

Nga seanca plenare e Kuvendit

E Enjte, 06.12.2018




Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, ( një pjesë e seancës është kryesuar nga nënkryetarja, Myfera Shinik), ka mbajtur sot seancën e radhës, në të cilën ka shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Para se të fillohet me rendin e ditës të paraparë për këtë seancë, deputetët në shenjë kujtimi, me një minutë heshtje nderuan ish kryetarin amerikan Xhorxh Bush, i vjetri, (i cili vdiq para disa ditëve), mik dhe përkrahës i palodhur i kauzës së popullit tonë.

Seanca vijoi me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Me këtë rast, deputetët, si dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh, ndërkaq, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën ministrat e kabinetit qeveritar: Uran Ismaili, Kujtim Gashi dhe Shyqyri Bytyqi.

Pas kësaj, seanca vijoi punimet me shqyrtimin në parim të Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Këtë projektligj, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, i cili dha shpjegimet e nevojshme lidhur me projektligjin, duke vënë në pah ndikimin që do të ketë ai në zhvillimin ekonomik. Sipas tij, Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4.7%, ndërkaq, bëri të ditur se dokumentet në të cilat është bazuar Ministria gjatë hartimit të tij, janë: programi i Qeverisë, (i cili mbështetet në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik), Programin për Reforma Ekonomike dhe Strategjinë sektoriale dhe kornizën afatmesme të shpenzimeve. Me këtë rast, ministri Hamza po ashtu tha se, në Projektligjin për buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë që shpenzimet buxhetore të jenë 2 miliardë e 365 milionë euro. Gjatë paraqitjes së tij, ministri Hamza i siguroi deputetët se Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm siguron stabilitet të plotë makro financiar, dhe po ashtu, stabilizon borxhin publik. Në fjalën e tij, ministri Hamza, po ashtu nënvizoi se projektligji i propozuar është hartuar në bashkëpunim të plotë me FMN-në.

Lidhur me këtë, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, fjalën e mori nënkryetarja e këtij komisioni, Safete Hadergjonaj. Ajo pasi paraqiti vlerësimin e vet për këtë projektligj, po ashtu bëri të ditur se Komisioni e ka përkrahë projektligjin, i cili sipas saj, duhet përkrahur edhe në seancë nga ana e deputetëve.

Në emër të LDK-së, vlerësimin për këtë projektligj e paraqiti deputeti Lumir Abdixhiku. Ai nënvizoi se rritja ekonomike prej 4.7%, e paraparë në këtë projektligj, paraqet dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Sepse kujtoi ai, Qeveria në fillim të mandatit të saj, rritjen ekonomike e proklamonte deri në 10%. Në fjalën e tij, Abdixhiku kritikoi edhe skemat sociale, për të cilat tha se ato janë shpenzuese të mëdha të buxhetit, duke bërë që buxheti të shndërrohet në një buxhet social dhe jo zhvillimor.

Qëndrimin e PDK-së për këtë projektligj e paraqiti deputetja Safete Hadërgjonaj. Sipas saj, projektligji i propozuar nga qeveria është i bazuar në shifra dhe mundësi reale, ndërkaq, përmban objektiva reale zhvillimore. Me këtë rast, ajo nënvizoi se, sipas këtij projektligji janë paraparë investime në të gjitha fushat, duke i kushtuar rëndësi menaxhimit të parasë publike.

Sipas VV-së, në emër të së cilës foli deputeti Albin Kurti, ndërkaq, Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm, është buxhet shpenzues, e as pak zhvillimor.

Ai vuri në dukje shpenzimet e parapara për subvencione dhe transfere, kategori këto, që sipas deputetit Kurti, janë duke u stimuluar nga qeveria. Në paraqitjen e tij me këtë rast, Kurti po ashtu parashikoi se deficiti financiar do të jetë çështje problematike dhe për këtë nuk janë marrë masa paraprake. Në vijim të fjalës së tij, deputeti Kurti shprehu shqetësimin edhe për mos investimin në ndërmarrjen "Trepça", duke vënë në pah se zhvillimi ekonomik nuk duhet mbështetur vetëm në importe.

Qëndrim kritik ndaj Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, shfaqi edhe përfaqësuesi i PSD-së, deputeti Dardan Sejdiu. Ai pati vërejtje në skemat sociale të parapara me këtë projektligj, dhe për më shumë, ai vlerësoi se me versionin e paraqitur është ndjekur praktika e gjertanishme e ndarjes buxhetore. Sipas tij, Qeverisë i mungon vizioni për zhvillim ekonomik, duke vazhduar të mbështet në grumbullimin e mjeteve kryesisht nga importi.

Në vijim të seancës, fjalën e mori përfaqësuesi i AAK-së, deputeti Blerim Kuçi. Me këtë rast, Kuçi vlerësoi se projektligji i propozuar vërteton përkushtimin e qeverisë për realizimin e planit të saj zhvillimor, dhe për këtë, ai nënvizoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 12% më i lartë se sa ai i vitit paraprak. Rritja e investimeve në sektorin e shëndetësisë, si dhe në sektorët e tjerë në të gjitha fushat, qartazi shpërfaqë rritjen më të lartë ekonomike, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, deklaroi deputeti Kuçi.

Në favor të projektligjit u deklarua edhe deputeti Enver Hoti, përfaqësues i NISMA-s. Ai lavdëroi vendimin e rritjes së buxhetit për shëndetësinë, si dhe për Agjencinë e Punësimit, përfshirë këtu edhe rritjen për Inspektoratin Punës.

Qëndrim kritik për ndarjen buxhetore, ndërkaq, shfaqi deputeti Fikrim Damka, nga Grupi Parlamentar 6+.

Sipas tij, buxheti i paraparë për komunitetet pakicë, është duke u ndarë në mënyrë jo korrekte nga Ministria për Komunitete dhe Kthim. Ai vlerësoi se për komunitetin që ai përfaqëson, pra atë turk, mjetet e dedikuara nuk mjaftojnë për shkollim cilësor e as për ngritjen e kuadrove profesional për të cilët ky komunitet ka nevojë.

Lidhur me ketë projektligj, në emër të Grupit të Grave Deputete (GGD), foli kryetarja e këtij grupi, deputetja Megjide Mjaku-Topalli. Ajo u shpreh se GGD-ja vlerëson që buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm, nuk adreson në masë të duhur problemin e pabarazisë gjinore në Kosovë.

Pas deklarimit të përfaqësueseve të grupeve parlamentare, të cilët në mënyrë të përgjithësuar folën për projektligjin, seanca ka vijuar me paraqitjen e deputetëve të shumtë. Gjatë debatit u vunë re dallime ndërmjet deputetëve të pozitës dhe atyre opozitarë, të cilët nga këndvështrimi i tyre shfaqën opinionet lidhur me këtë projektligj.

Pas shterimit të debatit, seanca ndërpreu punimet, për të vazhduar nesër në ora 11:00.

Nga seanca plenare e Kuvendit Nga seanca plenare e Kuvendit Nga seanca plenare e Kuvendit