Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim...
E Mërkure, 05.12.2018
Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga kryetari Ismajl Kurteshi, shqyrtoi dhe miratoi tri projektligje.
Në këtë takim, komisioni shqyrtoi tri raporte me rekomandime të projektligjeve, si: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sport, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sport, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni priti në takim përfaqësuesin e GIZ-it Gjerman, Boris Scharlowski, udhëheqës i projektit të CDBE-së. Anëtarët e komisionit shprehen falënderim për përkrahjen e vazhdueshme me projekte dhe shkëmbim të praktikave të mira nga GIZ-i.
Përfaqësuesi i GIZ-it, Scharlowski, foli për rezultatet dhe të arriturat e projekteve të zhvilluara në bashkëpunim me komisionin dhe sektorin e arsimit në përgjithësi. Ai po ashtu shpalosi planet dhe aktivitetet që organizata synon t'i realizojë gjatë vitit të ardhshëm.