Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e pagjetur dhe Peticione

E Mërkure, 05.12.2018




Komisionit për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme të cilën e kryesonte Duda Balje, kryetare, ka mbajtur mbledhjen e vetë të rregullt.

Në mbledhjen e lartpërmendur, përveç anëtarëve të Komisionit, merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës si dhe të KDI-së.

Në këtë mbledhje e vetmja pikë e rendit të ditës ishte Raportimi për zbatimin e rekomandimeve, i cili ka të bëjë me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, miratuar nga ana e Kuvendit në seancën plenare të mbajtur me 9 shkurt 2018.

Duke folur përkitazi me këtë raport, anëtari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, z. Izet Rushiti ka theksuar se rekomandimi i parë nga ana e ZRE në tërësi është përmbushur në mënyrë që të ndalohet praktika ilegale për llogaritjen e energjisë elektrike të shpenzuar në Veri të Republikës së Kosovës për konsumatorët dhe pjesën tjetër të vendit. Përndryshe sa i përket implementimit të dy rekomandimeve tjera, ZRE është duke pritur vendimin definitiv të Gjykatës për kompensimin e qytetarëve për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore në shumë prej 50 milion €. Në vazhdim, z. Rushiti ka theksuar që për rekomandimin që Qeveria, në bashkëpunim me KED-sin dhe ZRE-en të gjejnë zgjidhje alternative që t'iu shmangen humbjeve në veri, që donë të thotë të bëhet pagesa për të gjithë klientët në mënyrë të barabartë, në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjet kundër diskriminimit.

Në vazhdim të mbledhjes duke e marr fjalën zëvendësavokati i Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, z. Mehdi Geci, ka theksuar që Gjykata duhet sa më parë ta shqyrtojnë këtë çështje dhe në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Republikës së Kosovës të marrin aktgjykim të drejtë për kompensimin e borxheve qytetarëve për energjinë elektrike të pashpenzuar.

Në fund të mbledhjes së lartpërmendur anëtarët e Komisionit kanë parashtruar pyetje të shumta përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë përkitazi me këtë temë e në të cilat ata kanë dhënë përgjigje.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione