Lajmet e fundit

Komunikatë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut..., lidhur me deklarimin e Komisionerit Hahn për çështjen e liberalizimit të vizave

E Marte, 04.12.2018




Komisioni Parlamentar për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e mbajtur më datë 4 dhjetor 2018, ka nxjerrë këtë:

K O M U N I K A T Ë

Komisioni Funksional konsideron se deklarimi i djeshëm i Komisionerit z. Hahn, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, paraqet mohim të së drejtës elementare së qytetarëve të vendit lidhur me lirinë e lëvizjes, e cila është e garantuar edhe me aktet universale dhe Konventat Ndërkombëtare të fushës së të drejtave të njeriut.

Vlerësojmë se Republika e Kosovës nuk mbetet mbrapa shteteve, të cilave, e drejta liberalizimit të vizave u është njohur shumë më parë, ndërsa mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, në kohën kur kemi plotësuar kriteret e kërkuara nga ana e institucioneve të BE-së, është i papranueshëm, i dëmshëm dhe në vetvete, diskriminues.

Deklarata e djeshme e z. Hahn duhet të korrigjohet me veprime praktike nga ana e institucioneve përgjegjëse evropiane dhe se ky diskurs nuk duhet të vazhdojë deri në vitin 2020, kjo, në radhë të parë, për arsye të vlerave që përfaqëson vetë Bashkimi Evropian.