Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik... zhvilloi vizitë në Kroaci
E Enjte, 09.05.2019
Dje dhe sot një delegacion i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në përbërje Sala Berisha Shala, kryetare, Hykmete Bajrami dhe Veton Berisha, anëtarë, zhvilloi vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.
Temë kryesore e kësaj vizite është zbatimi i Ligjit per shërbime, si dhe marrëdhëniet ekonomike në mes të dy vendeve.
Në Kuvendin e Kroacisë, delegacioni ynë u prit nga Komisioni për ekonomi i kryesuar nga Darinko Kosor. Në takim u diskutua përvoja parlamentare e dy vendeve dhe në veçanti sfidat me të cilat po përballen bizneset e të dyjave shteteve.
Delegacioni ynë u prit po ashtu edhe në Ministrinë e Ekonomisë nga ndihmës ministrja Nataša Mikuš Žigman, në të cilin takim u ofrua ekspertiza kroate në hartimin dhe zbatimin e Ligjit për shërbime.
Në Oden Ekonomike Kroate, Ivan Barbarič, nënkryetar, e informoi komisionin me funksionimin dhe veprimtarinë 160-vjeçare te kësaj ode, si dhe sfidat me të cilat përballen bizneset kroate.
Në këto takime u konkludua se përvoja kroate është e mirëseardhur për përvojën e vendit tonë sa i përket legjislacionit në fushën e shërbimeve, si dhe u theksua se shkëmbimi tregtar në mes të Kosovës dhe Kroacisë duhet të rritet, ngase tani është në vlera jo të kënaqshme. U vlerëesua po ashtu se marrëdhëniet e mira diplomatike duhet të shndërrohen në marrëdhënie të mira ekonomike.
Komisioni po ashtu, u prit edhe nga deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermira Prljaskaj.