Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 03.04.2019




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga kryetari Lumir Abdixhiku, u përkrah Raporti Vjetor i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2018, si dhe raporti Vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit, për vitin 2018.
Diskutimet për këto raporte kishin përfunduar në mbledhjet e kaluara.
Tutje, Komisioni shqyrtoi edhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2020-2022. Fillimisht, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, gjatë prezantimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit, sqaroi se në takimin me grupin e punës të Komisionit për përgatitjen e të dhënave, ka dalë përfundimi se duhet dhënë sqarime lidhur me projektin e qendrës protokolare administrative "Vila Gërmia" dhe për investimet kapitale. Sekretari Krasniqi tha se materiali lidhur me këto çështje është dorëzuar në Komision.
Sekretari i Kuvendit shtoi se është konstatuar se procedurat kanë filluar afërsisht që dhjetë vjet për objektin e "Gërmisë", por lidhur me këtë nuk është shënuar asnjë lëvizje. "Me këtë projekt Kuvendi ka shpenzuar afër 1 milion e 600 mijë euro, mirëpo kjo çështje ka ngecur", tha Krasniqi.
Sipas tij, të dhënat që janë prezantuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës, për tri vite, buxheti në vitin 2020 është vlerësuar se do të jetë 12 milionë e 47 mijë euro, në vitin 2021 do të jetë 11 milionë e 834 mijë euro, ndërkaq në vitin 2022 është vlerësuar të jetë 11 milionë e 195 mijë euro.
Në vijim, anëtarë të komisionit gjatë përfshirjes në diskutime lidhur me këtë kornizë, kërkuan sqarime shtesë nga sekretari i Kuvendit, me theks të veçantë për shpenzimet kapitale të parapara për tri vite, si dhe për zyret e deputetëve, duke kërkuar më shumë hapësira pune për ta.
Duke dhënë sqarime në shumë çështje tjera që u ngritën nga anëtarë të Komisionit, sekretari i Kuvendit, tha se lidhur me çështjen e "Villa Gërmisë", pret nga Komisioni rekomandime për Kryesinë e Kuvendit që ta adresojë këtë çështje në seancë, për të gjetur një zgjidhje.
Pas shterimit të diskutimit, Komisioni me shumicë votash u dakordua që t'i rekomandoj Kryesisë së Kuvendit që ta miratojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës dhe që këtë ta prezantojë edhe në Ministrinë e Financave për përfshirje në KASH. Ndërsa u rekomandua për Kryesinë që të gjejë një zgjidhje për objektin e "Villa Gërmisë" si dhe për rritjen e hapësirave të punës për deputetët.
Komisioni po ashtu përkrahu edhe Projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private dhe amandamentet e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa