Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 02.04.2019
Ndarja e granteve nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, me theks të veçantë për bizneset e udhëhequra nga gratë, ishin çështjet për të cilat ka raportuar sot zv/ ministrja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha- Shala, kryetare e Komisionit.
Në fillim të fjalës së saj, zv/ ministrja Shkodra vuri në dukje prioritetet e kësaj ministrie. Lidhur me këtë, ajo u shpreh se balancimi i zhvillimit ekonomik ndërkomunal dhe regjional, si dhe fuqizimi i grave dhe vajzave në bizneset prodhuese, mbesim prioritet kyqe në angazhimet e tyre.
Më pas, ajo foli për ndarjen e granteve, dhe mundësisë së përfitimit të grave gjatë këtij procesi. Për sa i përket kësaj çështjeje, zv/ ministrja Shkodra, sqaroi se në ministri është arritur një dakordim, që në rastet kur aplikantët për subvencion apo grante janë poentuar me pikë të barabarta, në ato raste, përfitues i donacionit të jetë përfaqësuesi i biznesit grua.
Në vijim, ajo vuri në pah përpjekjet e ministrisë për rritjen e numrit të grave pjesëmarrëse në bizneset prodhuese, i cili aktualisht zë vend me 17 % nga numri i përgjithshëm i tyre.
Më pas, Shkodra u është përgjigjur edhe pyetjeve dhe interesimit të anëtarëve të komisionit, të cilët po ashtu e inkurajuan atë që të vijohet më mbështetjen e më tejme të grave dhe vajzave në ndërmarrjet e tyre biznesore.