Lajmet e fundit
Komisioni për Legjislacion… ka mbajtur dëgjim publik për Projekt Kodin e Procedurës Penale dhe Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale
E Mërkure, 26.06.2019
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, sot ka mbajtur dëgjim publik për Projekt Kodin e Procedurës Penale dhe Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.
Në këtë dëgjim publik të pranishëm ishin përfaqësues nga Gjykata Supreme, Këshilli Prokurorial, Oda e Avokatëve, Grupi për Studime Juridike, Institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Pas hapjes së debatit, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë e këtij diskutimi, ku edhe i ftoi përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqërisë civile të japin vërejtet dhe rekomandimet e tyre lidhur me dy projektligjet e lartcekura.
Të pranishmit dhanë rekomandimet para anëtarëve të komisionit, duke sugjeruar ndryshime në nene të caktuara. Ata më së shumti dhanë mendime dhe sugjerime për pezullimin e gjyqtarëve publik dhe zgjatjen e afatit të hetimeve.
Anëtarët e komisionit i pranuan rekomadimet, të cilat tutje do të shqyrtohen në grupet punuese në mënyrë që të nxirren dispozita të avancuara për të ardhmen.