Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 16.05.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur sot në seancë plenare, për të shqyrtuar një varg pikash që ndërlidhen me iniciativën e kryeparlamentarit Veseli për krijimin e një tribunali ndërkombëtar që ndëshkon gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapë rrugë ndërtimit të institucioneve që shpërfaqin këtë gjenocid.

Pasi shterimit të pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, fjalon e mori deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila propozoi mocion procedural për miratimin e një rezolutë në mbështetje të viktimave seksuale gjatë luftës së vitit 1999, nëpërmjet krijimit të "Qendrës së Kurajës".

Mocioni u përkrah nga të gjithë deputetët e pranishëm në Kuvend dhe rendi i ditws u plotwsua edhe me kwtw pikw.

Kuvendi vijoi punimet me shqyrtimin e propozim-rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë, të cilën para deputetëve e prezantoi kryetari i Komisionit ad-hoc për këtë çështje, Bilall Sherifi.

Propozim-rezoluta mori mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre: Armend Zemaj, LDK, Mërgim Lushtaku, PDK, Sami Kurteshi, LVV, Blerim Kuçi, AAK, Shqipe Pantina, PSD, Zafir Berisha, Nisma dhe Albert Kinolli, 6+.

Debati vijoi me diskutimet e deputetëve të tjerë, të cilët mbështetën propozim-rezolutën por edhe dhanë propozime konkrete në funksion të pasurimit të përmbajtjes së saj. Po ashtu u prezantuan dëshmi që faktojnë krimet e Serbisë mbi shqiptarët ndër vite.

Pas plotësimit të saj me disa propozime shtesë, me 77 vota për, Kuvendi miratoi rezolutën.

Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, i propozuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ishte pikë e radhës e rendit të ditës.

Duke marrë fjalën lidhur me këtë pikë, kryeparlamentari Veseli tha se plaga më e madhe e luftës është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit, të cilin shteti serb e ushtroi mbi popullin e Kosovës gjatë luftës.
 
Ai tha se mbi 1 milion shqiptarë u detyruan të bëheshin refugjatë, ose persona të zhvendosur.

"13.535 u vranë. Në mesin e tyre, 1230 fëmijë, përfshirë foshnje. Mijëra gra u dhunuan. Kjo ishte arsyeja pse bota demokratike mori vendim të ndërhynte për ta ndalur pikërisht këtë gjenocid. Përfundimi i luftës gjeti Kosovën me fatin e pazgjidhur të jo më pak se 6.057 personave", theksoi Veseli.
 
Ai shtoi se për gjitha këto krime dihen me emra dhe mbiemra kryesit e tyre.
 
"Dihet kush ishin kryetarët e komunave. Dihet kush ishin komandantët e njësive policore dhe ushtarake. Dihen njësitë ekzekutuese. Dihen vendet. Madje, dihen edhe orët e sakta të krimeve. Ka dëshmi të bollshme. Ka fakte, dokumente, dëshmitarë. Te gjithë ata presin të flasin, mos të heshtet. Ata presin të dëgjohen. Të mos harrohen. Ata presin të veprohet për t'i vënë para drejtësisë vrasësit e familjarëve të tyre, vrasësit e fëmijëve të tyre. Çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo lagje, çdo fshat, çdo qytet, e di dhe do të flasë! Sepse, të gjithë dhe gjithçka në Kosovë ishte target i gjenocidit serb, vetëm pse ishim shqiptarë", thekso kryeparlamentari Veseli.
 
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit deri në fundin e vitit 2017, drejtësia ndërkombëtare ishte e vetmja përgjegjëse për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë, ndërsa Kosova i ka besuar thellësisht asaj.

"Kemi besuar se krimet gjenocidale të kryera nga Serbia në Kosovë do të marrin përgjigjen e domosdoshme nga mekanizmat e kësaj drejtësie. Por, ne sot ndjehemi thellësisht të zhgënjyer, kur konstatojmë se kjo nuk ka ndodhur", shtoi Veseli.
 
Ai tha se është në nderin e Kuvendit të Kosovës që tash të merret vendimi që drejtësia për këto krime të ndodhë.

"Kam propozuar një seri nismash konkrete, në kuadër të Drejtësisë Tranzicionale, për të zbardhur të kaluarën dhe vënë kriminelët para përgjegjësisë. Kam propozuar ndërtimin e një Muzeu të Gjenocidit, në ish-fabrikën e Tjegullave, i cili do të zhvillojë veprimtari në pesë fusha. Kam propozuar përcaktimin me ligj të një date përkujtuese të gjenocidit, si dhe ndërtimin e një memoriali për këtë tragjedi të popullit tonë. Kam propozuar shndërrimin e Stacionit të Trenit të Prishtinës në Muze të Dëbimit", deklaroi Veseli.
 
Në vazhdim ai shtoi se propozimi i tij përfshin një proces ligjor dhe institucional, i cili do të kalojë nëpër disa faza deri ne arritjen e ngritjes së Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb mbi Kosovën, duke filluar me Themelimin e Komisionit Shtetëror që bën konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
 
Veseli ftoi të gjithë që të bëhen bashkë me qëllim për të vendosur drejtësinë për krimet e shtetit serb në Kosovë.
 
Në emër të GP të LDK-së, kryetari i këtij grupi, Avdullah Hoti, tha se LDK-ja mbështet çdo nismë kundër gjenocidit serb dhe masakrës, por, sipas tij, krimet serbe nuk mund të dënohen vetëm me deklarata dhe se duhet vënë në lëvizje mekanizmat përkatës.

"Qëllimi mund të jetë i drejtë por formati dhe qasja duhet të rishikohen. Kosova ka institucionet e drejtësisë, prokurorinë speciale e gjykata themelore që duhet kryer gjëra kushtetuese. Kosova duhet të dokumentojë krimet e regjimit serb", theksoi Hoti.

Ai propozoi që Kuvendi të formojë komision që përgatit propozim - vendim i cili obligon të gjitha institucionet kompetente për dënimin e krimeve, fillimisht nga drejtësia vendore, pastaj ndërkombëtare.

Deputeti Elmi Reçica tha se Grupi Parlamentar i PDK-së përkrah iniciativën për themelimin e Tribunalit për gjenocidin serb.

"Në emër të PDK-së shpreh respektin dhe përkrahjen për iniciativën lidhur me krijimin e Gjykatës ndërkombëtare, në të cilën do të trajtoheshin në mënyrë profesionale krimet e luftës që Serbia ka kryer në Kosovë", theksoi Reçica.

Ai tha se krimet dhe gjenocidi serb i kryer në Kosovë nuk është trajtuar nga drejtësia dhe bashkësia ndërkombëtare.

"Ju ftoj ta mbështesni iniciativën e propozuar me pikat e seancës së sotme dhe të vihet drejtësia në vend përmes argumentimin dhe faktimit të krimeve serbe në Kosovë", theksoi Reçica.

Deputetja nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, foli për vështirësitë që ekzistojnë deri në krijimin e një Tribunali ndërkombëtar.

Ajo tha se për t'u krijuar një Tribunal ndërkombëtar janë disa procedura: duhet të ketë kërkesë në OKB, rezolutë në OKB që lejon formimin e Tribunalit dhe kjo kërkon kohë dhe përkrahje. Ajo tha se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe në këtë organizatë ka shtete që nuk e përkrahin Kosovën.

"Ne si deputetë nuk mund të merremi me fakte të luftës. Me këtë merren institucionet që janë të thirrura për këtë çështje, të cilat bëjnë dokumentimin dhe arkivimin. Duhet të fuqizohen institucionet e vendit, policia e prokuroria", theksoi Bogujevci.

Kryetari i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, ofroi mbështetjen e grupit të tij për tribunalin, duke shtuar se kjo është e mundur duke u bazuar në praktikat e vendeve të tjera të ngjashme si Kosova.

Ai tha se tani duhet të merren vendime dhe kjo çështje të zgjidhet, duke i marrë të gjitha të dhënat që mund të dokumentojnë krimin dhe gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë.

"Duhet formuar komisionin që mbledh gjitha të dhënat që çojnë drejt formimit të një tribunali, i cili mund të gjykojë krimet dhe gjenocidin serb të ndodhur në Kosovë. Formimi i tribunalit mund të ndodhë, sepse ka përvojë të shteteve sikur Kosova", tha Isufi.

Nga GP i PSD-së, deputetja Shqipe Pantina theksoi se edhe grupi që ajo përfaqëson përkrah idenë për formimin e komisionit për dokumentimin e krimeve.

"Ne e mbështesim idenë dhe do të japim propozimet tona për punën që do bëjë ky komision. Në fund do mbështesim propozimin qe sjell komisioni, nëse ai është i harmonizuar dhe paraqet një konsensus të partive politike", theksoi deputetja Pantina.

Kryetari i GP të Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, tha se ky grup parlamentar përkrah rezolutën që i hap rrugë themelimit të tribunalit, duke bërë thirrje që të votohet unanimisht.

Ai tha se duhet angazhim për mbledhjen e fakteve dhe provave.

"Lufta për mbledhjen e provave për ndjekjen e individëve që kanë bërë krime dhe atyre që kanë urdhëruar, nuk duhet përfundojë kurrë. Sot kemi mjaftueshëm prova për te gjykuar krimin në Kosovë. Le të ecim përpara, ta miratojmë rezolutën si bazë, pastaj mund të marrim edhe dokumente të tjera", theksoi Sherifi.

Edhe GP 6+, nëpërmjet deputetit Albert Kinolli i dha mbështetje iniciativës për krijimin e tribunalit.

"E përkrahim iniciativën e krijimit të tribunalit dhe e përkrahim propozimin për ndërtimin e muzeut të krimit dhe gjenocidit serb të kryer në Kosovë, si dhe ndërtimit të memorialit", tha Kinolli.

Punimet e Kuvendit vazhduan me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët folën për krimet e Serbisë mbi shqiptarët dhe për nevojën e dokumentimit e të gjykimit të tyre.

Ndërkohë, seanca ndërpreu punimet, me paralajmërimin për të vazhduar të hënën.

 

Nga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e KuvenditNga mbledhja plenare e Kuvendit