Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Enjte, 02.05.2019
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, kryesuar nga Vjosa Osmani, kryetare, në të cilën ka raportuar zv/kryeministri i parë, njëherësh ministër i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Raporti i ministrit Pacolli kishte të bënte me angazhimet diplomatike të kësaj ministrie gjatë katër mujorit të këtij viti, përfshirë këtu edhe Samitin e Berlinit, mbajtur ditë më parë.
Pas raportit të ministrit Pacolli, i cili në mënyrë kronologjike njoftoi për marrëdhëniet dypalëshe të vendit tonë, procesin e njohjeve, diplomacinë ekonomike, marrëdhëniet rajonale, raportet me BE-në, organizatat ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në luftën globale kundër terrorizmit, ai u është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e komisionit.
Gjatë takimit, anëtarët e komisionit interesim të veçantë shfaqën lidhur me Samitin e Berlinit, përkatësisht qëndrimit të delegacionit tonë, i cili sipas tyre nuk ka qenë unik.
Duke njoftuar për këtë çështje, ministri Pacolli bëri të ditur se delegacioni kosovar në këtë Samit ka paraqitur qëndrim unik dhe të koordinuar mirë. Me këtë rast, ai bëri të ditur se kërkesa për suspendimin e përkohshëm të taksës për mallrat serbe dhe të atyre nga Bosnjë- Hercegovina, është përsëritur disa herë nga Kancelarja gjermane Merkel si dhe Presidenti francez Makron. Vendosja e taksës, tha ai, është arsyetuar nga presidenti i vendit si dhe kryeministri, ndërkaq, nënvizoi se, takimi ka qenë i suksesshëm dhe i dobishëm për ne, sipas tij, me përmasa historike.
Për sa i përket procesit të njohjeve, për të cilin anëtarët e komisionit po ashtu u interesuan shumë, ministri Pacolli tha se që nga fillimi i dialogut ky proces ka stagnuar në masë të madhe. Shtetet që ende nuk e kanë njohur shtetësinë tonë, sqaroi ai, presin rezultatet e dialogut, disa të tjera ndërkaq, dominohen nga Kina, dhe një numër jo i vogël i tyre nga Rusia, tha ministri Pacolli.
Me gjithë pengesat që e përcjellin këtë proces, tha ai, njohja nga shteti i Kongos, pritet të ndodhë së shpejti.
Në vijim të takimit, ministri i MPJ-së bëri të ditur se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa, lidhur me ecurinë e anëtarësimit në INTERPOL, ai tha se do të njoftojë në një mbledhje të mbyllur të komisionit.
Në fund të takimit, anëtarët e komisionit kërkuan që të njoftohen me shkrim lidhur me konsujt e nderit të angazhuar nga vendi ynë, si dhe reformat e brendshme në ministri.