Lajmet e fundit

Nga tryeza e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së

E Marte, 11.06.2019




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, mbajti sot një tryezë pune lidhur me integrimin e shtetasve kosovarë dhe familjarëve të kthyera nga lufta në Siri, si dhe për sfidat e sigurisë dhe konsekuencat ligjore.

Kryesuesi i kësaj tryeze, njëherësh zv/kryetar i komisionit, Rexhep Selimi, tha se komisioni parlamentar për siguri është angazhuar në vazhdimësi për këtë çështje, ndërkaq shtoi se Kuvendi dhe komisioni kanë rregulluar edhe infrastrukturën ligjore lidhur me këtë.

Selimi vlerësoi se komisioni ka mbajtur edhe mbledhje të veçanta lidhur me këtë çështje, për t'u informuar lidhur me sfidat.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mensur Hoti, gjatë diskutimit të tij, foli lidhur me angazhimin e këtij institucioni në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit. Pasi sqaroi në detaje për numrin e personave të kthyer nga luftërat e huaja dhe gjendjen e tyre, ai tha se të kthyerit aktualisht janë në arrest shtëpiak.

Ndërkaq, bazuar në raportet e Institutit Shëndetësor, ai vlerësoi se këta persona nuk paraqesin rrezik për përhapje të ndonjë sëmundjeje. Sipas tij, deri më tani nuk kanë pasur ndonjë problem gjatë procesit për rehabilitimin e tyre dhe se disa nga fëmijët janë dërguar tek të afërmit e tyre.

Tutje, Hoti, tha se ky proces në vazhdimësi do të mbikëqyret nga MPB-ja, duke u shprehur se procesi i riintegrimit nuk do të jetë i lehtë. Përfundimisht, ai vleresoi se kthimi i këtyre personave nuk paraqet rrezik për qytetarët dhe as probleme për sigurinë publike.

Në vijim folën edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit. Me këtë rast, ata vlerësuan se të gjithë fëmijët e kthyer do të integrohen në sistemin arsimor, duke marrë si bazë edhe udhëzimet administrative të cilat i ka nxjerrë MASHT-i për këtë kategori.

Edhe përfaqësues të AKI-së sqaruan se nuk kanë ndonjë informatë që paraqet kërcënim për sigurinë e vendit.

Blerim Rama nga Policia e Kosovës, pasi sqaroi në detaje për rastin e personave të kthyer nga lufta në Siri, tregoi vështirësitë me të cilat po përballet policia në këtë fushë, me theks të veçantë për sigurimin e provave.

Në vijim folën edhe anëtarët e Komisionit, Fatmir Xhelili, Aida Dërguti dhe Xhelal Sfeçla, të cilët parashtruan edhe pyetje të shumta për përfaqësues të MPB-së, MASHT-it dhe PK-së.

Mes tjerash u diskutua edhe lidhur me Ligjin kundër pjesëmarrjes në luftëra të huaja, nëse ka zbrazëtira ligjore. Ndërkaq, u kërkuan sqarime nga përfaqësues të MPB-së dhe PK-së nëse janë identifikuar motivet për pjesëmarrje në luftëra.

Në këtë diskutim u përfshinë edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, duke folur për rolin e këtyre organizatave në këtë proces.

 

Nga tryeza e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-sëNga tryeza e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së