Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 30.05.2019




Kuvendi i Republikës së Kosovës është mbledhur sot në seancë plenare, të cilët e drejtoi kryeparlamentari Kadri Veseli, për të votuar pikat e rendit të ditës, të grumbulluara nga disa seanca të kaluara.

Kuvendi procedoi me pikën e parë, votimin për formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, të iniciuar nga kryeparlamentari Veseli.

Për të shqyrtuar materialin lidhur me këtë pikë dhe përgatitur propozimet, Kuvendi, me propozim të deputetit nga radhët e PSD-së, Faton Topalli, formoi një komision, në përbërje të të cilit do të jetë nga një deputet prej secilit grup parlamentar.

Po ashtu Kuvendi vendosi në fushëveprimin e këtij komisioni edhe tri pikat e tjera pasuese: ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish - Fabrika e tjegullave, ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se pavarësisht që është iniciator i formimit të Tribunalit, ka për qëllim vetëm formimin, duke theksuar se meritat për të do tu takojnë të gjitha partive parlamentare.

"Unë edhe kur e kam iniciuar ju kam thënë se kjo iniciativë le të jetë e të gjithëve së bashku, vetëm ta formojmë, pasi kanë kaluar dy dekada dhe askush nuk ka marrë asnjë iniciativë për të kërkuar drejtësi për mijëra viktima e qindra masakra që kanë kryer forcat serbe në Kosovë", tha Veseli, duke shtuar se kjo iniciativë do të shkojë deri në fund.

Seanca e vijoi me procedurën e votimit të pikave të mbetura nga seancat e kaluara.

Kuvendi nuk e miratoi Projektligjin për peticione, ndërsa miratoi në parim: Projektligjin për transmetuesin publik të Kosovës, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, Projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve, Projekt-kodin e Procedurës Penale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim, Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për Diasporën, Projektligjin e Punës, Projektligjin për Pronën Publike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.

Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, u miratuan: Projektligji për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bibliotekat, Projektligji për plotësim-ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit dhe Projektligji për qasje në dokumente publike.

Gjithashtu Kuvendi miratoi Propozim Rezolutën nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, Kuvendi krijoi Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Radio-Televizionit të Kosovës, Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, si dhe Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur për Media, nga radhët e komuniteteve tjera jo shumicë.

Pas kësaj, drejtuesi i seancës ndërpreu punimet e Kuvendit, deri në njoftimin e radhës.

 

 

Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të KuvenditNga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit