Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

E Mërkure, 10.04.2019




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të drejtuar nga Albulena Haxhiu- kryetare.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga KIPRED, GLPS dhe Artpolis.
Në emër të këtyre organizatave, Ariana Qosaj- Mustafa, e ka prezantuar raportin: "Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës me bazë gjinore në Kosovë: Përfundimi i mosndëshkimit të autorëve të krimit".
Ajo ka folur për rastet e dhunës në familje, si dhe trajtimin e tyre nga institucionet përgjegjëse.
Të dhënat e paraqituar në këtë raport, Qosaj- Mustafa ka thënë janë zyrtare, pasi janë siguruar nga institucionet.
Ajo ka bërë me dije në këtë raport është rekomanduar që të ndryshohet Kushtetuta dhe të përfshihet në të Konventa e Stambollit; Këshilli Gjyqësor t'i shqyrtojë rastet e trajtuara; të ndryshohet disa ligje; të bëhet trajnimi i personave përgjegjës (policët, prokurorët dhe gjyqtarët), të cilët merrën me trajtimin e këtyre rasteve etj.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, i ka përgëzuar organizatat e lartëpërmendura për këtë raport, i cili sipas saj, e pasqyron gjendjen reale të dhunës në familje.
Ajo ka thënë se shqetësues mbetët fakti se edhe kur ka raportime të dhunës në familje nga gratë, fajësohen vetë ato. " Kjo është skandaloze", ka thënë deputetja Haxhiu.
Megjithatë, ajo ka thënë se kohëve të fundit ka një seriozitet të shtuar të institucioneve përgjegjëse për ta luftuar këtë dukuri, por ka kërkuar bashkëpunim më të madh në mes të Kuvendit, institucioneve tjera dhe shoqërisë civile.
Edhe anëtarët tjerë të këtij komisoni kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar në luftimin e kësaj dukurive negative, duke kontribuar në amendamentimin e ligjeve përkatëse, përfshirë edhe në ndryshimin e Kushtetutës, në të cilën do të përfshihet Konventa e Stambollit.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…