Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Marte, 28.05.2019
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, u shqyrtua propozimi për rishpalljen e konkursit për zgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Komisioni vendosi që të shpallet konkursi për këtë pozitë, si dhe formoi panelin përzgjedhës.
Në vijim, zv/kryetari i Komisionit, Rexhep Selimi, kërkoi nga kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, informata lidhur me zhvillimet e fundit në veri.
Me këtë rast, Shala duke e njoftuar Komisionin lidhur me këto ngjarje, tha se fillimisht ka kontaktuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për t'u informuar në detaje lidhur me aksionin në veri.
Shala sqaroi se bazuar në këto informata nga Policia, aksioni ka filluar me urdhër të prokurorit special për të arrestuar kontrabandistët në veri të Mitrovicës dhe se ka hasur në një rezistencë të vogël. Kjo, sipas tij, ka rezultuar me arrestimin e disa personave të nacionaliteteve të ndryshme.
Shala më tej shtoi se aksioni është duke shkuar sipas planit operacional të paraparë nga Policia, ndërkaq tha se edhe policët e plagosur janë në gjendje të mirë.
Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni diskutoi edhe një varg çështjesh tjera që bien në fushëveprimin e tij, ndërkaq, u dakordua edhe për të ftuar për raportim në Komision ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së.