Lajmet e fundit
Veseli: Shteti serb do të përgjigjet për zhdukjen e Ukshin Hotit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë
E Enjte, 16.05.2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Prizren në 20 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të shquar Ukshin Hoti, se ai ishte ideolog dhe vizionar i madh për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli tha se Serbia do të përgjigjet para drejtësisë për zhdukjen e Ukshin Hotit dhe gjenocidin që e ka kryer gjatë luftës në Kosovë.
"Andin, baba yt është baba i kombit tonë këtu në Kosovë. E vërteta për Ukshin Hotin dikush thotë se nuk dihet. Ajo dihet çdo ditë. Ai ishte veprimtar, intelektual dhe ideolog. Kur ka folur ai se Kosova duhet të ketë ushtri, shtet, pak kush ka guxuar të flas. Unë besoj shumë se kombi ynë ka perspektivë dhe do të jetë i fortë çdo ditë. Është i përjetshëm kujtimi për të madhin Ukshin Hoti. Ne sot do të kemi seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës për të kërkuar drejtësi, për të gjithë ata mijëra qytetarë të vrarë, fëmijë, gra e pleq të cilët janë vrarë e masakruar nga shteti serb. Shteti serb ka kryer gjenocid. Kjo duhet të thuhet edhe më me zë dhe shteti serb do të përgjigjet ashtu siç e meriton ", tha ai.
Ai tha se brezat e rinj të shtetit të Kosovës nuk duhet ta harrojnë sakrificën e gjeneratave të mëparshme që kanë bërë gjithçka për këtë liri që sot të gjithë e gëzojnë në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
"Të dashur të rinj, besoni në shtetin e Kosovës, sepse kemi bërë shumë sakrifica. Kemi shumë e shumë njerëz që kanë dhënë çdo gjë, edhe jetën e tyre për këtë shtet i cili sot e përgjithmonë do të ekzistojë. Unë besoj se kombi ynë ka perspektivë, se shteti ynë po ecë çdo ditë përpara për aq sa duhet të kemi besim tek njëri-tjetri për të ecur edhe më shpejt përpara. Ne do të ecim përpara ballëlartë dhe do të kërkojmë të drejtën tonë, do të kërkojmë drejtësi", tha Kryeparlamentari Veseli.