Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Premte, 05.04.2019
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, nën kryesimin e kryetares Vjosa Osmani, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar ministri i Ministrisë së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala.
Raporti i ministrit Shala kishte të bënte me Investimet Strategjike deri më tani, si dhe ecurinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
Lidhur me Investimet Strategjike, ministri i MTI-së, Shala, fillimisht foli për procedurat që duhet ndjekur, në mënyrë që një investitor të fitoj statusin e investitorit strategjik.
Ai sqaroi se, projekti investues strategjik, mund të fitohet sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligj, ndërkaq, sektorët prioritar të zhvillimit ekonomik, në të cilët MTI është e përkushtuar të investoj, sipas ministrit Shala janë sektorët e : energjisë, transportit dhe telekomunikacionit, bujqësisë dhe industrisë ushqimore, parqet industriale dhe teknologjike, si dhe administrimi i ujërave të zeza dhe mbeturinave.
Duke folur për investimet konkrete të gjertanishme, ministri bëri të ditur se, nga hyrja në fuqi e Urdhrit Administrativ 15/2018, deri me tani kanë aplikuar dymbëdhjetë (12) subjekte të interesuara për të marrë statusin e investitorit strategjik.
Nëntë (9) aplikime, sqaroi ai, janë më fushën e energjisë, infrastrukturës dhe minierave, dy (2) aplikime janë në fushën e turizmit dhe një (1) aplikim është në sektorin e bujqësisë dhe industrinë ushqimore. Në vijim, ministri bëri të ditur se gjer më tani, nga MTI dhe KIESA, vetëm një aplikuesi i është dhënë statusi Investitor Strategjik. Kërkesat e tjera ndërkaq, tha ai, janë në faza të ndryshme të shqyrtimit.
Pas kësaj, ministri u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit, të cilët me këtë rast shfaqën interesimin edhe për projektin "Brezovica". Po ashtu, interesim i theksuar nga anëtarët e komisionit u pa edhe për mundësinë e lehtësirave investive për bashkatdhetarët tanë që punojnë jashtë vendit, e që janë të interesuar të investojnë në Kosovë.
Pas kësaj, ministri i MTI-së, Shala, njoftoi edhe për aplikimin në Organizatën Botërore të Tregtisë. Lidhur me këtë, ai bëri të ditur se MTI, në këtë organizatë ka aplikuar për statusin e vendit vëzhgues. Në pyetjen e kryetares së komisionit, Vjosa Osmani se, pse nuk është aplikuar për status të barabartë me vendet e tjera në OBT, ministri u përgjigj se, kjo është bërë për t'u mundësuar më lehtë anëtarësimi i plotë në të ardhmen.
Në fund të kësaj mbledhjeje, është shqyrtuar në parim edhe Projektligji nr. 06/L-154 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, të cilin para komisionit e paraqiti zv/ ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Votimi për këtë projektligj, në mungesë kuorumi është shtyrë për mbledhjen e radhës.